Gazeta Si – Kampioni i dyfishtë i botës në Formula 1, Maks Vershtapen, ka folur së fundi për të ardhmen, duke lënë të hapur mundësinë për të garuar në disiplina të tjera të motorsport.
“Rekordet kanë rëndësi për mua, më pëlqen ajo që bëj dhe për të paktën 2 vjet do jemi kompetitivë. Por nuk do të garoj deri 40 vjeç në F.1, duhet menduar edhe për eksperienca të tjera në motorsport”, – ka theksuar Vershtapen. Holandezi e ka në zemër Formulën 1, por duket se pëlqen edhe sportet e tjera.

Pas titullit të dytë në nivelin maksimal të automobilizmit, Vershtapen ka filluar të bëjë planet për të ardhmen, ndërkohë që janë edhe 4 gara nga fundi i Botërorit 2022. Në një intervistë për ‘Sky Sport’, ai ka treguar emocionet e këtij sezoni dhe ka folur edhe për të ardhmen:
“Karriera ime mund të jetë shumë e gjatë, por jo deri në 40 vjeç. Ka edhe gjëra të tjera që do doja të bëja. Argëtohem shumë tani, kam një kontratë deri në 2028-ën dhe pas këtij viti gjithçka varet si shkojnë gjërat. Ndoshta do të provoj eksperienca të tjera në motorsport. Duhet provuar edhe diçka tjetër”.
Vershtapen mund të thyejë rekordin e garave të fituara në një sezon të vetëm, duke e shtuar te rekordet që tashmë ka arritur që në moshën 25-vjeçare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




