Futboll

Jo vetëm Elon Musk, edhe Katari kërkon të blejë Mançester Junajtid

Gazeta Si – Sipas ‘Bloomberg’, një grup investitorësh po lëviz me mbështetjen e fondit sovran katariot për të blerë klubin e madh anglez. Edhe Elon Musk ka tentuar të blejë Mançester Junajtid.

Katari është gati të zgjatë duart edhe drejt Mançester Junajtid. ‘Bloomberg’ bën me dije se disa investitorë lokalë kanë bërë gati një ofertë për blerjen e ‘Djajve të kuq’. Kjo ofertë do të mbërrijë në tavolinën e familjes Glazer brenda kësaj jave. Grupi i investitorëve ka pas edhe mbështetjen e ‘Qatar Investment Authority’, fondit që zotëron 100% të aksioneve të PSG-së.

Foto ilustruese. Fondi Katariot i Investimit. Gazeta Si, 14 shkurt 2023

Duhet theksuar se normat e UEFA-s nuk lejojnë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane të dy klubeve me të njëjtin pronar.

‘Raine Group’, banka amerikane që asiston pronarët aktualë të Junajtid, ka fiksuar datën 17 shkurt si afatin e fundit për paraqitjen e ofertave. Sipas zërave që kanë qarkulluar ditët e fundit, pritet të jenë të paktën 5 kandidatë për blerjen e klubit.

Në nëntor familja Glazer kishte komunikuar zyrtarisht se do të merrte në konsideratë ‘alternativa strategjike’. Për momentin, i vetmi që e ka bërë të ditur publikisht interesin për Junajtid është Jim Ratcliffe, pronari i kompanisë ‘Ineos’ dhe që vlerësohet si njeriu më i pasur në Britaninë e Madhe, me një pasuri prej rreth 17 miliardë dollarësh.

Elon Musk. Gazeta Si, 14 shkurt 2023

Edhe Elon Musk po monitoron me kujdes situatën te Mançester Junajtid. Sipas ‘Daily Mail’, miliarderi afrikano-jugor po vlerëson mundësinë e një oferte, që duhet të shkojë te familja Glazer deri të premten. Pronarët aktualë pretendojnë të marrin rreth 6 miliardë stërlina, 4.5 për klubin dhe 2 për rikonstruksionin ose ndërtimin e një ‘Old Trafford’-i të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë