Kombetarja

Jo vetëm çështja ‘Broja’, kambana të forta alarmi për sulmin kuqezi para Europianit

Gazeta Si – Pak më shumë se dy muaj nga Europani i Gjermanisë trajneri Silvinjo duhet të shqetësohet, shumë madje. Jo për listën përfundimtare, por për atë që po ndodh aktualisht me disa nga lojtarët e sulmit të Kombëtares.

Çështja e Armando Brojës është e njohur tashmë. Klubi i tij në Angli, Fulhemi, ku është huazuar nga Çelsi, e ka nxjerrë jashtë planeve. Për të tretën ndeshje radhazi sulmuesi shqiptar ishte në tribunë të martën në mbrëmje ndaj Notingem Forest, ku Fulhemi humbi 3-1.

Broja gjate miqesores me Suedine. Gazeta Si, 3 prill 2024

Broja nuk po luan më as si zëvendësues dhe nëse shkon në Europian pa minuta në këmbë, do të jetë problem i madh. Të gjithë gjykojnë se ai duhet të luajë titullar në Kombëtaren shqiptare, por pa aktivizim është thuajse e pamundur.

Por nuk është ky problemi i vetëm për Silvinjon në lidhje me sulmin. Probleme me klubin ka edhe Jasir Asani, i cili priste të shitej në merkaton e dimrit, por koreanët kërkuan një shifër të lartë, 3 milionë euro, duke u bërë pengesë për transferimin e lojtarit shqiptar në Europë. Nëse edhe ai nuk luan, shtohen problemet, sepse sulmuesi i djathtë ishte një nga titullarët më të rëndësishëm në eliminatore.

Kuqezinjte duke festuar nje gol te Asanit. Gazeta Si, 3 prill 2024

Po të shtojmë këtu edhe dëmtimin e Myrto Uzunit, që humbi dy miqësoret e fundit për një shqetësim në ‘Tendinën e Akilit’, atëherë kambanat e alarmit për stafin kuqezi bëhen shumë të forta, sepse duhen gjetur zgjidhjet më të mirë përpara Europianit.

Sokol Cikalleshi është gati për qendrën, kurse Mirlind Daku mungoi në grumbullimin e fundit. Ernest Muçi, Taulant Seferi, Arbër Hoxha e Arbnor Muçolli janë alternativat për krahët, por është e qartë se me gjendjen aktuale të Brojës, Asanit dhe Uzunit, do të ishte vërtet problem. Shpresat janë që deri në qershor diçka të ndryshojë për këta lojtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë