Politike

‘Jo normalitet parlamentar pa të drejtat e opozitës’, Luçiano Boçi: Do të ishte dorëzim

Luçiano Boçi njihet si një nga zërat e arsyeshëm brenda demokratëve, por situata e krijuar politike nuk i lë hapësira për t’u treguar i moderuar. Në një intervistë për Gazeta Si, nënkryetari i PD, që drejtohet nga ish kryeministri Berisha kundërshtoi idenë e kthimit në normalitet të opozitës parlamentare. Duke gjykuar se situata është rënduar pas miratimit të njëanshëm nga PS të ligjit për komisionet hetimore dhe të Rregullores së Kuvendit, zoti Boçi thotë se kthimi në të ashtuquajturin normalitet, që prej të hënës, do të ishte “gjunjëzim dhe dorëzim i opozitës.”.  Gjatë intervistës për Gazetën Si, përveç mënyrës sesi Berisha e drejton PD nga izolimi në shtëpi, zoti Boçi jep opinionin e tij edhe për mënyrën sesi duhet të bashkohet partia dhe nëse fraksioni është një zgjidhje e pranueshme.

Gazeta Si: Përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, a duhet të rikthehet në normalitet grupi parlamentar apo duhet të përshkallëzojë protestën?

Luçiano Boçi: Shkaku i anormalitetit lidhet me hapësirën jetike të opozitës në Parlament dhe të drejtat dhe rolin e saj në balancimin e pushteteve. Ky shkak nuk është zgjidhur, madje ka ndjekur kahun e kundërt me dy ndryshime ligjore që lidhen me komisionet hetimore dhe ndryshimet e rregullores me qëllim dënimin e ashpër të deputetëve të opozitës. Përderisa shkaku është agravuar, çdo artificë për gjoja kthimin në normalitet, do të përkthehej politikisht, por dhe në opinion, si një gjunjëzim dhe dorëzim i opozitës.

Nëse shton këtu dhe tendencën e Ramës për të tejkaluar opozitën dhe rolin e saj në Komisionin e reformës zgjedhore, shkaqet shtohen e bëhen më te forta. Rama po tenton të sigurojë votat pa marrë në konsideratë konsensusin politik, duke eliminuar kësisoj Komisionin e Reformës, si kurrë më parë në këto 33 vite. Kërkon të përdorë grupin Basha për matrapazlliqe e pazare elektorale dhe të defaktorizojë grupin real të deputetëve te PD të drejtuar nga z. Bardhi.

Gazeta Si: Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Presidentit kthimin e ligjit të ri për komisionet hetimore. Për çfarë shërben ky hap, kur dihet se PS nuk ka ndryshuar ndonjë ligj, edhe pasi është kthyer nga Presidenti? Mund të lindin hapësira për negociata?

Luçiano Boçi: Z. Bardhi po e vendos Presidentin para detyrimit kushtetues për kthimin e këtij ligji antikushtetues dhe po përdor një rrugë legjitime të domosdoshme. Është tjetër gjë shpresa e reagimit. Ajo vërtet nuk ekziston, sepse arbitrariteti i mazhorancës së majtë është pothuaj genetik dhe i provuar. Megjithatë ky hap krijon terrenin që, më pas, ankimi të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Politikisht, ai përkthehet si konsistencë e opozitës për ta mos pranuar imponimin ndaj saj dhe për të vazhduar aksionin e saj politik.

Gazeta Si: Në gjykimin tuaj, cila zgjidhje do t’i shërbente më mirë forcimit të PD, bashkimi përmes shkrirjes apo përmes fraksionit?

Luçiano Boçi: Shkrirja do të ishte ideale. Shkrirja të çon drejtpërdrejt në fitore, gjykuar nga rrethanat në të cilat ajo do të mund të realizohet. Ndërsa fraksioni krijon gjithsesi fragmentarizim të opozitës dhe ngadalëson ritmet politike elektorale.

Gjithçka si zgjidhje, varet nga vizioni politik i çdo deputeti.

Gazeta Si: Cila është vështirësia më e madhe tani për PD me kreun e opozitës në arrest shtëpie?

Luçiano Boçi: Vështirësia më e madhe është statusi juridik i Partisë Demokratike. Berisha, pavarësisht arrestit, gjen gjithmonë rrugëdalje për të orientuar Partinë dhe për ta drejtuar atë. Patjetër që kërkohet më shumë impenjim e punë nga nivelet e tjera të drejtimit, por në fund, drejtimi nuk cenohet. As taktika dhe as strategjia. Mesazhet e tij tani në situatën e jashtëzakonshme kanë më shumë vëmendje e reflektim publik dhe Berisha gjen forma e ligjërime efektive për t’i përcjellë tek publiku e për të marrë vëmendjen e tij. Si të thuash: Ai është vetë lajmi!

Gazeta Si: A mund te jetë alternativë qeverisëse fituese një parti me kryetarin në izolim?

Luçiano Boçi: Alternativë të bën programi dhe vizioni që ngjizin besimin e qytetarëve dhe krijojnë shpresën. Të qënit në arrest politik të kryetarit nuk pengon. Përkundrazi galvanizon anëtarësinë dhe rrit solidaritetin njerëzor dhe politik si reagim ndaj poshtërsisë, padrejtësisë dhe rënies së standarteve e parimeve demokratike. Alternimi i vizionit programor si politikë efektive për njerëzit me kauzën politike të rikthimit të pluralizmit e demokracisë së marrë peng, krijon armosferën dhe arsyet e forta të arritjes së qëllimit dhe të fitores.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë