Analize

"Jo, faleminderit". Vetëvendosja i "vë fre" LDK-së për Presidentin

“Jo, faleminderit!” Kjo ka qenë përgjigjja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kërkesave të Isa Mustafës për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Teksa pritet të konstituohet Parlamenti i ri i vendit, koalicioni mes VV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duket gjithnjë e më i largët dhe molla e sherrit është karrigia e presidentit. Skenari që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme u duk më afër se kurrë ditën e djeshme kur si Isa Mustafa ashtu dhe Albin Kurti bënë të qartë se nuk do të lëshonin pe. Mustafa ka ashpërsuar tonet duke e bërë të qartë se LDK-ja ose merr postin e presidentit ose shkon në opozitë. Por për Vetëvendosjen, partinë më të votuar në zgjedhjet e gjashtë tetorit, ky kusht është i papranueshëm.  

Deputetja Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu i ka thënë”Jo” partisë se drejtuar nga Isa Mustafa, i cili sipas saj po kërkon të gjithë postet kyçe, përveç kryeministrit.

“Nuk mund të pranojmë që LDK-ja të marrë edhe kryeparlamentarin, edhe gjysmën e qeverisë edhe Presidentin”, shkruan Haxhiu në një përgjigje të ashpër në rrjetet sociale.” Jo falemnderit”, thekson ajo.

Por çfarë çoi në këtë përgjigje të ashpër të Vetëvendosjes dhe ku kanë “ngecur” negociatat mes dy partive?

Albulena Haxhiu, Gazeta Si, 2019

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka bërë të qartë dje se nëse nuk arrihet një marrëveshje për presidentin e ardhshëm të Kosovës, ai do të shkojë në opozitë. Sipas tij, për LDK-në nuk ka “Plan B”.

Ai është përfolur si një kandidati i LDK-së për postin e presidentit, por Mustafa tha se partia e tij ende nuk ka zgjedhur emra as për presidentin dhe as për ministrat.

“Emrin e kandidatit për president do ta japim në momentin e zgjedhjes së presidentit. Vetëvendosja na ka pyetur a kemi plan B? Ne u kemi thënë se plani ynë është që të shkojmë në opozitë. Nëse nuk bëjmë koalicion dhe nuk bëjmë asnjë marrëveshje me partitë tjera pa u zgjidhur çështja e presidentit. Të jeni të sigurt se nuk kemi plane tjera”, u shpreh Mustafa.

Në këmbim të zgjedhjes së një kandidati konsensual nga radhët e partisë së tij, Mustafa mësohet se  i ka propozuar Kurtit që në momentin e zgjedhjes së presidentit, LDK-ja do t’i ofrojë VV-së një nga ministritë që drejton. Por mediat në Kosovë raportojnë se Albin Kurti nuk e ka pranuar këtë propozim, duke shkaktuar bllokimin e negociatave për formimin e qeverisë.

Sipas marrëveshjes aktuale për ndarjen e ministrive, LDK-ja merr pesë ministri, VV-ja po ashtu pesë dhe një ministri u takon minoriteteve. Burimet nga të dy partitë tregojnë se është rënë dakord për ndarjen e ministrive 5 me 5 në kabinetin me 11 dikastere. Mësohet se LDK do të ketë Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, atë të Arsimit dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë VV pritet ketë  Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, të Financave dhe atë të Zhvillimit Ekonomik. Ndërkohë për minoritetet është lënë Ministria e Kulturës.  Por LDK nuk është mjaftuar me kaq, duke kërkuar edhe karrigen e kryetarin e parlamentit dhe kreut të shtetit.

Isa Mustafa. Gazeta Si, 2019

Ngërçi nuk mundi të fshihej nga Mustafa pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, kur paralajmëroi se të shkonte në opozitë.

Ai tha se nuk pret që bisedimet për arritjen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen të zgjasin gjashtë muaj sikurse në vitin 2014, por theksoi edhe njëherë se LDK-ja dhe VV-ja duhet të jenë në harmoni të plotë për të gjitha çështjet, përfshirë edhe atë të presidentit.

 “Vlerësojmë se nëse ka vullnet politik, marrëveshja mund të arrihet. Parimi për të cilin ramë dakort sot si LDK është që pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha çështjet me të cilat do të ballafaqohet ky koalicion qeverisës në këto katër vite, përfshirë edhe zgjedhja e presidentit”, tha Mustafa.

I pyetur se a ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes, kryetari Mustafa tha se nuk është takuar me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por me ambasadorët e QUINT-it nga të cilët ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës. Duke krahasuar bisedimet aktuale me ato të vitit 2014, Mustafa e pranoi se Vetëvendosja nuk është e gatshme t’ia lërë postin e presidentit LDK-së.

Nga ana tjetër, edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, ka pranuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse dështon formimi i Qeverisë para konstituimit të Kuvendit.

“Këto janë procedura kushtetuese, nëse deri më datën 26 dhjetor nuk ka marrëveshje atëherë është çështje e partisë së parë të vendosë nëse do të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi apo jo dhe të konstituohen institucionet apo e lenë për një datë tjetër. Vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse pas konstituimit të Kuvendit dështon formimi i Qeverisë në dy rastet që jepen në përputhje me Kushtetutën”, tha Osmani.

Kur u pyet për postin e presidentit, ajo  tha se është çështje e ndarjes së pushteteve dhe asgjë më shumë.

“Këto çështje do t’i diskutojmë në tavolinë me VV-në. Nuk duhet të nxitohemi pasi bëhet fjalë për ndarjen e pushteteve”, tha ajo për mediat në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë