Ne rrjet

Jezusi me AI/ Krijohet aplikacioni që ju lejon ‘të flisni’ me Krishtin dhe apostujt e tij

Puna e një pastori është t’i udhëheqë besimtarët drejt një marrëdhënieje më të afërt me hyjnoren. Me afrimin e Krishtlindjeve, shumë prej tyre po bëjnë predikime me shpresën se do ta arrijnë pikërisht këtë. Megjithatë, sondazhet tregojnë se besimi i amerikanëve te kleri ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë. Më shumë njerëz tani luten në makinat e tyre sesa në kisha.

Ndoshta në mënyrë të pashmangshme, edhe këtu po ndërhyn teknologjia. “Text ëith Jesus”, një aplikacion i ndërtuar me modelin ChatGPT të OpenAI-t, u lejon përdoruesve të bëjnë pyetje personale dhe teologjike. I përfaqësuar nga një avatar me mjekër hipsteri të rregulluar mirë, Jezusi përgjigjet me nxitje miqësore dhe citate nga Shkrimi i Shenjtë. “Të dëgjoj, motër; dyshimi i ndershëm ka rëndësi dhe nuk je e vetme në këtë,” përgjigjet ai ndaj një rrëfimi skepticizmi për ringjalljen. Aplikacioni sugjeron zgjedhjen e një denominacioni (grupimi) dhe ofron një sërë figurash biblike dhe apostujsh për t’u konsultuar. Për këshilla të buta, merrni Marinë; për një bisedë më të ashpër, ndoshta Kainin ose Judën.

Aplikacioni ka rreth 150.000 përdorues dhe është popullor në qytete të mëdha amerikane si Nju Jorku, por edhe në Meksikë dhe në mbarë Amerikën e Jugut. Ka edhe skeptikë.

“Jezusi” i inteligjencës artificiale përpiqet tepër t’u pëlqejë njerëzve modernë, në vend që të thotë të vërteta të vështira ose të rrepta, siç i thotë Bibla., shkroi James Spencer i “Christian Post”, një faqe lajmesh. Sipas tij, roboti mezi i ngjan Jezusit biblik dge për tmerrin e tij, ai shkruan se nuk do ta pohonte pa ekuivok se Jezusi është Zot.

Stéphane Peter, themeluesi francez i aplikacionit, pranon se edhe vetë nëna e tij mendon se inovacioni i tij është blasfemi.

Papa Leo i ka paralajmëruar katolikët që të mos kërkojnë urtësi në të dhëna të agreguara. Pritet që edhe udhëheqës të tjerë fetarë ta ndjekin këtë shembull. Elon Musk ka paralajmëruar dikur se “me inteligjencën artificiale po thërrasim demonin”. Të paktën për momentin, funksioni Satan në “Text ëith Jesus” nuk është i aktivizuar, por abonentët mund ta aktivizojnë vetë dhe vetëm ata që janë regjistruar. /TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë