Shendet

Jetëgjatësia është një mashtrim!

Mundësia për të jetuar përgjithmonë i ka interesuar njerëzve për mijëra vjet. Epika e Gilgameshit, e shkruar rreth 4.000 vjet më parë, tregon historinë e një mbreti që kërkon një bimë që rikthen rininë, vetëm për ta humbur atë për shkak të një gjarpri hajdut. Historia (ndoshta apokrifike) e Juan Ponce de León, i cili thuhet se në fillim të shekullit të 16-të kërkonte Eliksirin e Rinisë, vazhdon të mbahet gjallë, ndryshe nga protagonisti i saj, i cili u vra gjatë udhëtimit.

Sot, lëvizja për mjekësinë e jetëgjatësinë drejtohet nga e njëjta dëshirë agresive për rini të përjetshme si në tregimet mitike. Por, ndryshe nga kohët e mëparshme, kur idetë për shëndetin hidheshin vetëm me njerëzit që i mendonin, sot pothuajse çdo person me lidhje interneti mund të përdorë rrjetet sociale dhe grafikët e gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të shitur këshilla mjekësore brenda sekondash. Edhe pse ka një mungesë të dukshme të provave të kontrolluara tek njerëzit që mbështesin këto këshilla, biznesi i jetëgjatësisë e po lulëzon, kryesisht për shkak të marketingut të rafinuar direkt te konsumatori, i shpërndarë nga influencues shëndetësorë me më shumë vetëbesim sesa prova. Deri në vitin 2030, mund të shpenzohen deri në 8 trilionë dollarë çdo vit në produkte që lidhen me jetëgjatësinë.

Si mjek i mjekësisë sportive, shoh nga afër pasojat e fiksimit modern për jetëgjatësinë. Pacientët vijnë në zyrën time të bindur se peptidet e duhura, zhytjet në ujë të ftohtë apo testet laboratorike mund të zgjatsn jetën e tyre në mënyrë domethënëse. Ato pothuajse sigurisht do të përballen me zhgënjim, nëse jo edhe me dëm.

Në shumë mënyra, populli amerikan i detyrohet falënderime pionierëve të hershëm të mjekësisë së jetëgjatësisë. Gjatë shekullit të 20-të, mjekët perëndimorë u fokusuan kryesisht në trajtimin e sëmundjeve dhe jo në parandalimin e tyre. Por gjatë 15 viteve të fundit, një gjeneratë e re studiuesish që fokusohen te jetëgjatësia ka filluar të theksojë ndryshimet e stilit të jetesës si gjumi, ushtrimet dhe dieta e shëndetshme si strategji të para për parandalimin e sëmundjeve,jo domosdoshmërisht për të zgjatur jetën, por për të përmirësuar shëndetin. Më vonë, investime private kanë derdhur kapital në këtë fushë në kërkim të pretendimeve më sensacionale për parandalimin e vdekjes. Shumë klinika dhe influencues që fokusohen tek jeta e pafundme, janë larguar nga parandalimi drejt fitimit, duke shitur një menu në rritje të trajtimeve të paprovuara.

Disa nga këshillat e reja janë relativisht të padëmshme. Për shembull, konsumimi i proteinave nuk ka shumë gjasa të zgjatë jetën në mënyrë domethënëse, por gjithashtu ka pak gjasa të shkaktojë dëm serioz. Tendencat e tjera janë më shqetësuese. Kam parë pacientë që eksperimentojnë me barna si rapamycin, një medikament imunosupresiv i përdorur për pacientët që kanë kaluar transplant organesh. Disa influencues shëndetësorë pretendojnë, pa të dhëna bindëse tek njerëzit, se rapamycin ngadalëson plakjen e qelizave. Nuk dihet nëse kjo është e vërtetë, por dihet se ky medikament rrit rrezikun e infeksioneve dhe sëmundjeve.

Përveç suplementëve dhe barnave, testimet e tepërta janë bërë një tjetër shtyllë e lëvizjes për jetëgjatësinë. Aplikacionet, testet e gjakut dhe pajisjet pretendojnë të masin “moshën biologjike” të përdoruesve duke përdorur të dhëna si variabiliteti i rrahjeve të zemrës, cilësia e gjumit, përbërja e trupit dhe biomarkerët e gjakut. Kjo nuk parashikon sa gjatë do të jetojë një person, por mund të japë një pamje të gjendjes fizike dhe të motivojë sjellje të shëndetshme.

Problemi më i madh janë testimet intensive, sidomos MRI-të e trupit të plotë, të cilat shumë klinika të longeviteteve i kanë reklamuar si mjete për të zbuluar sëmundjet herët dhe për të zgjatur jetën. Edhe pse duket një ide e mirë, disponueshmëria e këtyre testimeve ka tejkaluar rëndësinë klinike. MRI-të shpesh tregojnë ndryshime anatomike që janë normale gjatë plakjes. Studimet tregojnë se shumica e të rriturve mbi moshën e mesme kanë ndryshime në këmbë ose tendina që nuk kanë rëndësi klinike; si pasojë, rreziku i kirurgjive ose trajtimeve të panevojshme rritet ndjeshëm. Një rast ilustrues: një pacient 48-vjeçar, i trajtuar për një dëmtim sportiv, zbuloi një lezion të vogël në prostatë pas skanimit të plotë. Testi PSA ishte normal, por ai u këshillua për biopsi, e cila rezultoi benign, por i shkaktoi javë të tëra shqetësimi.

Ironikisht, mjekësia moderne ka arritur tashmë atë që pretendon të ofrojë zgjidhje moderne për të jetuar sa më shumë. Gjatë 150 viteve të fundit, jetëgjatësia mesatare është dyfishuar globalisht. Uji i pastër, antibiotikët dhe vaksinat kanë bërë më shumë për të zgjatur jetën sesa çdo suplement, zhytje të ftohtë apo terapi me dritë të kuqe.

Qëllimi më i arritshëm është zgjatja e shëndetit të mirë, duke shtuar jetë me cilësi dhe jo vetëm vite. Shkencëtarët dhe mjekët e dinë tashmë si:

Ushtrime ditore dhe ruajtja e muskujve ndërsa plakemi janë ndër format më efektive të kujdesit preventiv. Ushqimi natyral, gjumi i mjaftueshëm dhe aktivitetet sociale rrisin mirëqenien dhe shëndetin.

Pas dekadash këshillimesh të pacientëve, mesazhi kryesor është: Lëvizni çdo ditë, stërviteni muskujt tre herë në javë, hani ushqime që njihni nga natyra, flini mjaftueshëm dhe qëndroni të lidhur me komunitetin. Ky regjim nuk do t’ju bëjë të mashtroni vdekjen, por është falas, mbështetet nga prova shkencore dhe ndihmon të jetoni mirë tani.

Shkruar nga Jordan D. Metzl, mjek i mjekësisë sportive në Hospital for Special Surgery në New York për The Atlantic.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë