Nga Michel Setboun– Qëkur ekziston njeriu, ai rrëfen. Gjithmonë. Kudo. Fillimisht me një vijë qymyri mbi shkëmb. Një dorë e spërkatur mbi një faqe shpelle. Më pas me fjalë, një këngë, një britmë. Më vonë, shkrimi. Pastaj fotografia, kinemaja, serialet, rrjetet sociale.
Çdo epokë shton një shtresë. Një formë të re. Por fiksimi mbetet po ai: të rrëfejë. Të vetërrëfehet. Të trashëgojë. Mund të jetohet pa avion, pa energji elektrike, pa telefon. Por jo pa histori.
Gjithçka që e quajmë përparim (motorë, algoritme, raketa) ekziston për të na çuar më shpejt, më larg, më lart. Por në fund të fundit, nuk mbetet gjë tjetër: burra e gra që hanë, flenë, bëjnë dashuri, marrin frymë. Dhe shpikin rrëfime për të qëndruar në këmbë. Histori për të mbijetuar përballë zbrazëtisë.
Unë jetoj brenda kësaj gjithmonë. Është materiali im. Është ajo që kam fotografuar. Ajo që kam ndjekur, shkruar, grumbulluar.

Copa njerëzimi të kapura brenda historive. I kam parë kudo. Në sytë e një luftëtari. Në ecjen e një gruaje. Në heshtjen e një fshati. Në një grafit. Në një rrënojë.
Në gojën e një fëmije që përsërit çfarë i kanë ngjizur në kokë, në një medrese, në një kishë, në një sinagogë dhe që përfundon duke vrarë të ngjashmin e tij në emër të një Zoti, atij të njëjtit apo një tjetri, nuk dihet.
Më kanë thënë se jam francez. Republikan. Trashëgimtar i Iluminizmit. Nga një vend i të drejtave, i drejtësisë, i kulturës. Pastaj shikova përreth. Pashë ndarjen. Të harruarit. Të vdekurit pa kujtesë. Rrëfimet që ishin fshirë. Kuptova se kishte versione të tjera. Histori të tjera që duhej gërmuar.

Atëherë u nisa. Larg. Pashë popuj të tjerë, të vërteta të tjera. Në Afganistan, pashë burra që vdisnin për të mbrojtur një tokë që askush s’e kishte vizituar ndonjëherë me të vërtetë. Flisnin për nderin, për gjakun, për Zotin.
Por s’ishte veç një tjetër histori. Një që ua kishin përcjellë, ua kishin përsëritur, ua kishin ngulitur në kokë që në fëmijëri.
Në Izrael, hebrenjtë luftojnë për një premtim të bërë në një libër të lashtë. Një tokë, një popull, një kthim. Është një rrëfim i shenjtë. I paprekshëm. I pakundërshtueshëm.

Përballë, palestinezët kanë të tyren. Një version tjetër. Një plagë tjetër. Një kujtesë tjetër. Dy rrëfime të papajtueshme. Dy të vërteta absolute. Dhe kjo vret.
Në Rusi, Putini shpalos historinë e një perandorie. Një shpirti. Një uniteti. Një ortodoksie për t’u mbrojtur. Në Ukrainë flitet për sovranitet, identitet, për një popull që ngrihet.
Dy histori moderne, në luftë të hapur. Të dyja e tërheqin zanafillën nga shekuj me rrëfime të grumbulluara, të trashëguara, të zbukuruara, të falsifikuara.
Edhe Shtetet e Bashkuara, aq racionale, kanë mitet e veta. Ëndrra amerikane. Fati i paracaktuar. Pionierët. Njeriu që ia del vetë.
Hollyëood-i i vuri të gjitha këto në imazhe. Kauboji. Heroin e vetmuar. Shpëtimtari i bardhë. Askush nuk i beson me të vërtetë, por të gjithë bëjnë sikur. Sepse pa këto, s’mbetet asgjë.
Afrikanët, nga ana tjetër, janë përpjekur të mbledhin copat pas shkatërrimit kolonial. U janë rrëmbyer historitë. Prandaj po i rikrijojnë. Me gojë, me këngë, me valle. Po përpiqen të rikthejnë kuptimin atje ku kanë mbetur vetëm plagë. Të rimarrin në zotërim rrëfimin.

Edhe popujt që quhen “pa histori” kanë një. Tuaregët. Gitanët. Popujt pa arkiva. Jetojnë me histori të treguara pranë zjarrit, në shikime, në ritme. Aty kalojnë rrëfimet. Jo në muze.
Dhe pastaj është dashuria. Kjo fjalë ku hyn gjithçka, ky shpërthim i brendshëm, ky trillim absolut. Sepse edhe kjo është një histori. Një histori dashurie. Fillon me një rastësi. Një takim. Një dridhje. Flasim. Projektojmë. Imagjinojmë. Dhe shumë shpejt, ndërtojmë një rrëfim me dy zëra. Një mit të përbashkët. Me një para, një pas, një kolonë zanore, me replika, me skena kyçe. Dhe kur mbaron, e ribëjmë filmin. Rishkruajmë fundin. Presim copa. Mbajmë çfarë na leverdis.
Dashuria është trillimi më i qëndrueshëm i njeriut. Ai ku kthehemi gjithmonë, pavarësisht provave, lodhjes. Sepse duam të besojmë. Sepse ajo i jep kuptim gjithçkaje. Sepse na shpëton. Dhe sepse pa dashuri domethënë pa rrëfim jeta jonë nuk vlen aq.
Sot, po rilexoj fletoret e mia. Po shikoj imazhet e mia. Po përpiqem të kuptoj çfarë kam parë me të vërtetë. Çfarë kam treguar. Çfarë kam besuar. Çfarë kam shpikur. Kam fotografuar trupa, gjeste, situata. Por ajo që kërkoja, ishte historia pas tyre. E padukshmja. Ajo që nuk thuhet. Ajo që mbahet për vete.
Kam gënjyer ndonjëherë. Nga lodhja, nga frika, nga strategjia. Kam rregulluar. Kam prerë. Si të gjithë. Sepse nuk mund të thuash gjithçka. Sepse do të pëlqehesh. Sepse do të mbijetosh. Sepse do të besosh që je në anën e duhur.

Por sot dua të shkruaj ndryshe. Në vetën e parë. Sepse nuk mund të fshihem më pas neutralitetit. Sepse edhe unë jam një trillim. Një sërë historish të grumbulluara. Qeliza, familje, vend, epokë, profesion, takime. E gjitha kjo formon një rrëfim. Të brishtë. Të ndryshueshëm. Por të gjallë.
Dhe një gjë e di me siguri: nëse një ditë mi rrëmbejnë të gjitha historitë, bie. Bëhem thjesht një trup që ha, fle, merr frymë. Një trup bosh. Një trup pa histori.
Prandaj, vazhdoj të shkruaj. Të tregoj. Jo për të shkëlqyer por vetëm për të qëndruar në këmbë.
Shenim: Michel Setboun është fotograf francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”. Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende. Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.