Gazeta Si – Regjimi i ish-diktatorit sirian Bashar al-Assad përfundoi natën e 7-8 dhjetorit 2024, kur forcat e udhëhequra nga presidenti aktual, Ahmed al-Sharaa e rrëzuan atë me shpejtësi dhe në mënyrë të papritur.
Po atë natë, Assad iku në Rusi: që atëherë, ai nuk është shfaqur kurrë në publik dhe dihet shumë pak për jetën e tij të re nën mbrojtjen e regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin.
Përmes një hetimi të gjatë, e përjavshmja gjermane “Die Zeit”, arriti të mbledhë disa informacione, pavarësisht sekretit që rrethonte Assadin dhe familjen e tij.
Hetimi i “Die Zeit” bazohet në hetimet e gazetarëve të saj dhe në bisedat me burime të ndryshme anonime pranë Assadit.
E përjavshmja gjermane specifikon se nuk është e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur zbulimet e këtyre burimeve, të cilat megjithatë i përcakton si të besueshme.

Sipas hulumtimit të “Die Zeit”, Assad jeton në një rrokaqiell në lagjen moderne të biznesit të Moskës, “Moscow City” (i njohur edhe si Qendra Ndërkombëtare e Biznesit në Moskë), në pjesën perëndimore të qytetit.
Familja zotëron rreth njëzet apartamente luksoze në rrokaqiell, të blera që nga viti 2013, dy vjet pas fillimit të protestave në Siri, të cilat u shtypën me dhunë dhe më pas u përshkallëzuan në një luftë civile të gjatë dhe shkatërruese që përfundoi vitin e kaluar me rënien e regjimit të Assad.
Familja Assad bleu apartamentet duke përdorur një rrjet kompleks kompanish financiare, por edhe duke eksportuar drejtpërdrejt para në Rusi: marrëdhëniet dhe transaksionet ekonomike midis regjimeve siriane dhe ruse kishin qenë të shpeshta për dekada.

Sipas burimeve të “Die Zeit”, familja Assad zotëron gjithashtu një vilë pranë Moskës, në një vendndodhje që mbetet e pazbuluar.
Një ish-punonjës anonim – të cilin gazeta e identifikon si H. – i tha “Die Zeit” se Assadi mund të lëvizë lirisht nëpër Moskë, i shoqëruar nga truproja të siguruara nga inteligjenca ruse.
H. thotë se Assadi ndonjëherë frekuenton qendrën tregtare brenda të njëjtit rrokaqiell, por e kalon pjesën më të madhe të kohës në apartamentet luksoze në Moskë, kryesisht duke luajtur videolojëra online. Herë pas here, ai madje shkon në vilën jashtë Moskës.
Disa nga gazetarët e të përjavshmes gjermane, vizituan apartamente në rrokaqiellin e Moskës, të cilat i përshkruan si “të ngjashme” me ato të Assadit: ato kanë mobilje luksoze, televizorë të mëdhenj në çdo dhomë dhe dekorime të bollshme ari.

Gruaja e Assadit, Asma Fawaz al-Akhras, është gjithashtu në Moskë. Ajo po i nënshtrohet trajtimit për leuçemi, të diagnostikuar në pranverën e vitit 2024 (ajo ishte diagnostikuar më herët me kancer të gjirit në vitin 2018).
Tre fëmijët e çiftit, Hafis, Zein dhe Karim, janë gjithashtu në Moskë. Sipas H., vëllai i tij më i vogël, Maher jeton në hotelin “Four Seasons” në qytet.
Asadi erdhi në pushtet në vitin 2000, duke trashëguar presidencën nga babai i tij, Hafezi, i cili kishte qenë në detyrë që nga viti 1971.
Në më shumë se 50 vjet sundim të korruptuar dhe të dhunshëm, Hafezi dhe Bashar e transformuan Sirinë në një kleptokraci dhe diktaturë dhe shfarosën qindra mijëra kundërshtarë, rebelë dhe disidentë.

Bashar al-Assadi akuzohet për krime të shumta lufte, përfshirë përdorimin e armëve kimike kundër civilëve.
Rusia ndërhyri për të mbështetur regjimin e Asadit duke filluar nga viti 2015 dhe e lejoi atë të qëndronte në pushtet për gati një dekadë tjetër.
Putini lehtësoi dhe mundësoi arratisjen e tij nga Siria dhe tani po e pret dhe e mbron atë në Moskë. Burime të “Die Zeit” thonë se një nga kushtet, është që ish-diktatori të mbajë një profil privat dhe konfidencial, duke shmangur çdo ekspozim publik.
Sipas burimeve të “Die Zeit”, Rusia pret rreth 1,200 ish-anëtarë ose zyrtarë të regjimit të Asadit, kryesisht nga pakica alevite (e njëjta me atë të Asadit): ata që kishin burime financiare kanë mbetur në Moskë, të tjerët janë transferuar në Siberi.

Deri më tani, informacioni i vetëm i pjesshëm rreth jetës së Asadit në Moskë, vinte nga një video e publikuar nga djali i tyre Hafis në shkurt.
Hafis studioi në Moskë dhe, një javë para rënies së regjimit, kishte dorëzuar tezën e doktoraturës në matematikë në Universitetin Shtetëror të Moskës.
Në video, e cila është hequr që atëherë, Hafis rrëfeu versionin e tij të arratisjes nga Damasku, duke pretenduar se ai dhe familja e tij nuk kishin dashur të largoheshin nga Siria (një pretendim i mohuar nga hetimet gazetareske).
Dy herë këtë vit, kanalet Telegram të blogerëve rusë të luftës, përhapën lajmin se Asadi ishte helmuar, por se gjendja e tij ishte ndryshe e qëndrueshme dhe jo shqetësuese. Besueshmëria e këtyre thashethemeve, të cilat shtypi rus nuk i ka raportuar kurrë, është e panjohur.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



