Teater

Jeta e dy shkencëtareve në skenën e Teatrit të Metropolit

Teatri i Metropolit së shpejti do të ngjisë në skenën e tij, shfaqjen “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, një histori që rrëfen forcën dhe rezistencën e dy grave të jashtëzakonshme shkencëtare, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe një pasion për shkencën.

Drama e shkruar nga Lauren Gunderson, vjen me regji të Armela Demaj dhe interpretimin e Yllka Mujo dhe Armela Demaj.

“Shfaqja, e shkruar me një tekst të pasur dhe emocional, shërben si një dritare në jetët e brendshme të këtyre dy figurave historike, duke na ofruar një pasqyrë të sfidave që kanë përballur dhe ecurisë që kanë arritur pavarësisht pengesave”, shkruan Teatri i Metropolit në faqen online.

Dialogjet e fuqishme të veprës theksojnë rëndësinë e miqësisë, mbështetjes dhe respektit të ndërsjellë në arritjen e qëllimeve të dy shkencetareve.

Hertha Ayrton, e lindur si Phoebe Sarah Marks më 28 prill 1854 dhe ndarë nga jeta më 23 gusht 1923, ishte një shkencëtare, inxhiniere dhe aktiviste britanike që kontribuoi ndjeshëm në fushat e fizikës dhe inxhinierisë. Ajo u dallua veçanërisht për punën e saj në elektroteknikë dhe për studimet e saj mbi valët e rërës dhe qarkun elektrik.

Ndërsa Marie Curie ishte një shkencëtare e shquar polako-franceze, e njohur për punën e saj revolucionare në fushën e radioaktivitetit. Marie Curie u bë gruaja e parë që fitoi një Çmim Nobel dhe i vetmi person në histori që ka fituar Çmime Nobel në dy fusha të ndryshme shkencore, pasi ajo gjithashtu fitoi Çmimin Nobel në Kimi në vitin 1911 për punën e saj në përpunimin e radiumit dhe studimin e vetive të tij. /ata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë