Luis Kamileri largohet nga Ferrari. Një vendim personal i papritur i administratorit të deleguar të skuderisë së njohur italiane, një dorëheqje e menjëhershme. Ferrari ka bërë të ditur lajmin me një njoftim zyrtar, ku veç lamtumirës së Kamilerit, janë edhe disa fjali të presidentit Xhon Elkan, i cili do të marrë përkohësisht edhe detyrën e administratorit.
Kamileri ka thënë: “Ferrari bën pjesë në jetën time dhe t’i shërbeja si administrator i deleguar ishte një kënaqësi e veçantë dhe privilegj. Jam krenar për rezultat e arritura nga shoqëria që nga viti 2018 dhe e di që vitet më të mira të Ferrarit nuk kanë ardhur ende”.

Xhon Elkan, në një letër drejtuar të gjithë punonjësve të kompanisë, shkruan: “I jam mirënjohës për gjithçka që ka bërë Luisi për Ferrarin dhe për kontributin e dhënë në momentin e vështirë në korrik të 2018-ës. Impenjimi i tij ka qenë total, ai ka qenë besnik ndaj principeve të themeluesit tonë Enco Ferrari. Kemi hapur një kapitull të ri, duke zgjeruar gamën e produkteve tona. Pasioni i Kamilerit për Ferrarin është pa kufij”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




