Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën. Këtë vendim ai tha se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë”, tha Vitia, teksa tha se ka qenë privilegj udhëheqja e ministrisë së Shëndetësisë, në kohën kur Kosova është përballur me pandeminë COVID-19.
“Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin tonë”, shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë, sipas Vitisë, tani do të udhëhiqet nga zëvendësministrja Dafina Gexha.
Zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen më 17 tetor.
Fushata për zgjedhjet lokale ka nisur më 16 shtator dhe do të zgjasë 30 ditë.
Në garë për kreun e Prishtinës janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




