Karriera e Armando Sadikut ka marrë një kthesë të papritur dhe të paparashikuar. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, ka prishur me konsensus kontratën me Erzurumsporin, pasi nuk arriti të përshtatej dhe të linte gjurmë gjatë gjashtë muajve të parë të sezonit në Ligën e Parë të Turqisë, për ta vijuar karrierën në një kontinent tjetër. 29-vjeçari do të jetë pjesë e Club Bolivar, në Bolivi.
Marcelo Claure, presidenti i Bolivar, e ka bërë me dije këtë lëvizje dhe Sadiku tani është gati për eksperiencën e re. “Mirëserdhe, Armado Sadiku! Sulmuesi i fuqishëm 29-vjeçar, i cili ka shkëlqyer në ligat kryesore të Europës ka shënuar më shumë se 100 gola në Spanjë, Zvicër, Poloni dhe Turqi. Është i pari shqiptar që vjen në Bolivi! Përgatitemi për 100 vjetorin e FK Bolivarit!”, shkruan presidenti i Bolivarit, rreth afrimit të Armando Sadikut.
Bienvenido @armandosadiku, 29 años, delantero potente que se destacó en ligas importantes de Europa anotando más de 100 goles en España, Suiza, Polonia y Turquía. Selección Albania. Primer albanés 🇦🇱 en llegar a Bolivia 🇧🇴.
— MarceloClaure (@marceloclaure) January 23, 2021
Nos vamos armando para #BolivarCentenario pic.twitter.com/1sOgcMDxb2
Klubi i Bolivarit i luan ndeshjet në Stadiumin Hernando Siles, me kapacitet 42.000 spektatorë dhe rekordmenët e futbollit bolivian krenohen me 29 tituj kampionë, plot 14 më shumë se sa numërojnë dy klubet e tjerë The Strongest dhe Jorge Wilstermann.
Pikëpyetjet e transferimit
Kjo lëvizje i ka lënë të gjithë të habitur, sepse përveç faktit që është mbajtur gjithçka në sekret të plotë, Sadiku do të vazhdojë karrierën në mbi 3500 metra mbi nivelin e detit të La Paz. Marcelo Claure, presidenti i ri i Sadikut është një nga njerëzit më të pasur të Bolivisë. Ai është njëkohësisht edhe bashkëpresident i Inter Miami së bashku me David Beckham në MLS, si dhe i Gironës në Spanjë, ku është bashkëpronar me Pere Guardiola (vëllai i Pep).
Pasi është aktivizuar në Shqipëri, Zvicër, Lihtenshtajn, Poloni, Spanjë dhe Turqi, ai do të provojë fatin e tij në Bolivi për t’u bashkuar me një klub historik të themeluar në vitin 1925, i cili që nga janari është bërë pjesë e familjes së madhe të City Football Group. Përveç Manchester City-t në kompaninë City Football Group bëjnë pjesë edhe shumë klube të tjera, kështu për shembull në muajin shtator klubi francez Troyes u bë ekipi i dhjetë që u ble nga ky grup i fuqishëm. Nga sa mësohet si dhe faktet e publikuara, Kompania City Football Group nuk ka aksione te klubi i Bolivarit. Palët kanë arritur një marrëveshje për të shkëmbyer të dhënat si dhe në këshillimin e klubit të Bolivarit, si në aspektin e strategjisë ashtu edhe në sektorin e teknologjisë.
CFG përveç Manchester City-t përfshin gjithashtu edhe klube si New York City në Major League Soccer, Girona në Segunda Division, Mumbai City në Indi, Melbourne City në Australi, Yokohama Marinos në Japoni, Montevideo City Torque në Uruguaj, Lommel në Belgjikë, Troyes në Ligue 2 në Francë si dhe klubin e Ligës së Parë Kineze Sichuan Jiuniu.
Me shumë mundësi, Bolivar pritet të jetë vetëm një etapë e shkurtër e karrierës së lojtarit. Një nga këto klube të sipërpërmendura mund të jetë destinacioni i vërtetë i Sadikut, pasi të ketë kaluar disa muaj në kampionatin në Bolivi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.