Treg

Java që barazoi lekun me euron

Nga Gazeta ‘SI’ – Të premten e 21 korrikut, monedha euro këmbehej me rreth 100 lekë, niveli më i ulët ndonjëherë i valutës europiane në atë që njihet si ‘niveli i paritetit’.

Zhvlerësimi i euros kundrejt monedhës shqiptare ka qenë i shpejtë dhe i vazhdueshëm, me zanafillë në muajt e parë të këtij viti, por java e fundit do të mbahet mend.

Në pesë ditë euro është zhvlerësuar pothuajse 1 pikë në ditë kundrejt lekut (shih grafikun), duke tërhequr nga pas të gjitha monedhat e tjera të huaja, përshkak të lidhjes së tyre me monedhën europiane.  

Gjithsesi, euro rikuperoi lehtë humbjet, duke u  rritur në 100.9 lekë nga 100.4 që ishte një ditë më parë. E hëna e 24 korrikut do të na tregojë nëse tendenca rritëse do të vijojë apo shpresat do të shuhen, për ta çuar euron poshtë lekut.

Ekspertët e ekonomisë, por edhe vetë operatorët e tregut presin zhvlerësim të vazhdueshëm të monedhës të paktën deri në vjeshtë, ndikuar nga turistët dhe volumet e pritshme të euros në vend.

Eksportuesit dhe të punësuarit që paguhen  në  valutë, janë të parët që kanë ndjerë luhatjen, por efekti po zgjerohet gjithnjë e më shumë në një ekonomi tërësisht të ekspozuar ndaj euros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë