Ekspozite

Java e kulturës së Izraelit, ekspozitë nga artistët izraelitë në Kalanë e Tiranës

Java e Kulturës Izraelite vijoi sot me 2 aktivitete në Kalanë e Tiranës. Njëri prej tyre ishte një ekspozitë fokusuar tek narrativat e artistëve të ndryshëm të cilët sollën vepra të krijuara përpara nisjes së konfliktit aktual, që pati fillesat më 7 tetor 2023. Veprat e ekspozuara nxjerrin në pah perspektivat e ndryshuara dhe treguesit e rreziqeve që prekin paqen virtuale.

Ekspozita është mundësuar nga Akademia e Arteve Bezalel, me titullin “Kujtesa e Otefit”, një iniciativë që fton artistët për të rindezur qetësinë idilike të jetës së përditshme në këto vendbanime. Vizitorët do të shijojnë një udhëtim përmes imazheve të tjetërsuara të peizazheve lokale. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Kalanë e Tiranës deri më 13 qershor.

Ndërkohë një tjetër ekspozitë erdhi edhe si workshop për fëmijët, po në mjediset e Kalasë së Tiranës. Në këtë Art workshop nga Shirley Okev, fëmijët dhe studentët do të përjetojnë një udhëtim të frytshëm në botën e mandalës. Shirley Okev, një terapiste holistike dhe piktore, do të drejtojë pjesëmarrësit në procesin e krijimit të mandalave, duke forcuar paqen e tyre të brendshme dhe ekuilibrin. Artistja e vlerëson këtë si një mundësi unike për të eksploruar shprehjen artistike dhe krijimin e lidhjeve të thella me procesin krijues.

Në gjuhën e lashtë sanskrite të hinduizmit dhe budizmit, mandala do të thotë “rreth”. Tradicionalisht, një mandala është një dizajn ose model gjeometrik që përfaqëson kozmosin. “E gjitha ka të bëjë me gjetjen e paqes në simetrinë e dizajnit dhe të universit”, thonë artistët që praktikojnë këtë art. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë