Gazeta Si – Kjo javë që sapo ka nisur duhet të jetë java e firmave Milan-Red-Bird. Java e ndryshimit të pronësisë të klubit kuqezi, duke përjashtuar ndonjë surprizë.
Bisedimet mes Elliott dhe RedBird janë afër mbylljes dhe ditët në vazhdim do të bëhet edhe zyrtarizimi. Numri 1 i fondit amerikan, Gerri Kardinale, pritet në Milano për firmën mbi kontratën, që virtualisht do t’i japë klubin kampion të Italisë.

Për mbylljen përfundimtare të marrëveshjes Milan-RedBird do të duhet rreth një muaj. Sapo të firmosë kontratën e parë, me shumë mundësi në fundjavë, Kardinale do të takojë drejtorin teknik, Paolo Maldini.
Projekti Milan-RedBird fillon pikërisht prej ish-kapitenit. Së bashku do të planifikojnë të ardhmen e klubit, duke e nisur punën me ata që u skadon kontrata, mes tyre edhe vetë Maldini dhe Masara.
Rinovimi me Maldinin është prioritet edhe për pronarët e rinj. Sipas “Corriere della Sera”, Ivan Gazidis do të takohet me ish-kapitenin për të diskutuar për zgjatjen e kontratës.

Topi në një farë mënyre i kalon Maldinit, por duket se nuk ka dyshime në lidhje me vullnetin e tij për të vazhduar. Edhe pse Maldini e di mirë se puna që e pret në verë nuk është aspak e lehtë.
“Në një sezon mund të ketë mendime të ndryshme, por gjithmonë kemi përballuar çdo çështje me objektivin për t’u përmirësuar. Kështu do të jetë edhe këtë radhë. Ka ende punë për të bërë”, – ka deklaruar së fundi trajneri Stefano Pioli.
Java e firmave ka nisur, tani priten zhvillime konkrete në klubin e Milanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




