Gazeta Si – Edhe pak muaj në Korenë e Jugut, pastaj me siguri do të luajë në Europë. Transferimi i Jasir Asanit në një nga kampionatet më të forta të Europës është vetëm çështje kohe. Golat spektakolarë që ka shënuar me fanellën e Shqipërisë e kanë vënë atë në vitrinë. Reklama që sulmuesi anësor i ka bërë vetes është shumë e mirë.

Vetë Asani ka pranuar se në janar mund të ndërrojë skuadër, pasi menaxheri i tij për punon për këtë lëvizje. Konkretisht, sulmuesi ka pohuar se ka oferta nga Spanja, Gjermania dhe Italia, por pa përmendur emrat e skuadrave. Ai ka theksuar po ashtu se do të pëlqente një transferim të mundshëm në Serinë A.
Paraqitja shumë më e mirë me Kombëtaren ka ngjallur interes nga shumë klube për lojtarin nga Maqedonia e Veriut. Më parë ai ka luajtur për Partizanin në Superiore dhe në Hungari.
Përveç Asanit, janë edhe disa lojtarë të tjerë të Kombëtares që kanë rritur vlerat e tyre në merkato pas asaj që kanë bërë me fanellën kuqezi në këto eliminatore. Njëri prej tyre është mbrojtësi i majtë, Mario Mitaj. Futbollisti shkodran pritet të lërë Rusinë dhe të kalojë në një klub të një kampionati më prestigjioz europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




