Futboll

Jashtë Europës edhe dy ekipe të Kosovës, kalon Shkëndija e Tetovës

Gazeta Si – Jo vetëm Partizani. Nga Liga e Konfrencës janë eliminuar që në turin e parë edhe disa skuadra të tjera shqiptare, Gjilani dhe Llapi të Kosovës, si dhe Deçiç i Malit të Zi. Laçi dhe Shkëndija e Tetovës janë dy skuadrat e kualifikuara.

As Gjilani dhe as Llapi nuk ia dolën ta kalonin turin e parë të Ligës së Konferencës. Gjilani u mund 3-1 nga Liepaja e Letonisë në ndeshjen e kthimit dhe doli jashtë Europës, edhe pse kishte fituar 1-0 në Kosovë.

Nga ndeshja mes Llapit dhe Buduçnostit. Gazeta Si, 15 korrik 2022

Llapi barazoi 2-2 me malazezët e Buduçnostit në kthim, por humbja e ndeshjes së parë bëri që të eliminohet nga Liga e Konferencës. Në këtë kompeticion vazhdon Ballkani, kampionët që u eliminuan nga Liga e Kampionëve. Në Ligën e Europës vazhdon rrugëtimin Drita.

Në Maqedoninë e Veriut janë kualifikuar të dy ekipet shqiptare, Shkëndija e Tetotës dhe Shkupi. Tetovarët barazuan 2-2 me armenët e Ararat, ndërsa në ndeshjen e pare kishin fituar 2-0. Shkupi u kualifikua në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi eliminoi kampionët e Gjibraltarit.

Në Shqipëri, Tirana dhe Partizani u eliminuan që në turin e parë, por vetëm të kuqtë dalin jashtë Europës. Tirana kalon në Ligën e Konferencës, ku ndeshet me boshnjakët e Zrinskit.

Laçi eliminoi malazezët e Iskrës dhe tani do ndeshet me një ekip moldav në turin e dytë. Vllaznia zbret në fushë në këtë tur për t’u ndeshur me rumunëte Universitatea Kraiovës.

Në total, 7 skuadra shqiptare vazhdojnë ende rrugëtimin europian. Ato janë Tirana, Laçi, Vllaznia, Shkëndija e Tetovës, Shkupi, Ballkani dhe Drita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë