Konsumatorët e Japonisë kanë përqafuar një fushatë për të adresuar varësinë e tyre ndaj qeseve plastike, por masat e reja për të luftuar ndotjen në dete kanë krijuar një problem të paparashikuar: një rritje në vjedhjen e dyqaneve.
Të gjithë dyqaneve të Japonisë iu kërkua në korrik të vendosnin një tarifë për qeset plastike që mbajnë produktet ushqimore me qëllim për të inkurajuar blerësit që të përdorin çantat e tyre, të ripërdorshme në vend që të paguajnë për qeset plastike.
Ndërsa zinxhirët e supermarketeve dhe dyqaneve raportuan një rënie dramatike të përdorimit të qeseve plastike, teksa konsumatorët ndryshuan shumë shpejt zakonet e blerjes, një pjesë e konsiderueshme thanë se disa po shfrytëzonin fushatën kundër plastikës për të vjedhur dyqane.
Pavarësisht se janë inkurajuar të përdorin çanta të riciklueshme në dyqane, disa blerës vendosin sende në çantat e tyre, duke e bërë më të vështirë për stafin të dallojë mallrat e vjedhura.
Sipas Jiji Press, në Akidai Sekimachi Honten, një supermarket në Tokio, rreth 80% e klientëve filluan të psonisnin me çantat e tyre të ripërdorshme kur u prezantua fushata kundër qeseve plastike. Tre operatorët më të mëdhenj të dyqaneve të vendit raportuan një trend të ngjashëm, duke thënë se 75% e klientëve të tyre u ishin shmangur qeseve plastike në korrik, kur u prezantua tarifa.
Por një rritje në vjedhjen e dyqaneve i ka detyruar të forcojnë sigurinë, madje duke përfshirë masa për të luftuar vjedhjen e shportave, që klientët i marrin në vend që të paguajnë qeset plastike.
“Ne nuk jemi në rregull me klientët që marrin shportat e dyqanit pasi ato kushtojnë disa qindra jen secili”, tha Hiromichi Akiba, presidenti i zinxhirit të supermarketeve. “Ne mendum se do të zvogëlonim kostot duke tarifuar qeset plastike, por në vend të kësaj jemi përballur me shpenzime të papritura nga vjedhja e shportave të psonisjes.” (shporta- koshët që mbajnë produktet teksa bëjmë Pazar në supermarket)
Asistentët e dyqaneve thonë se ata hezitojnë të përballen me njerëzit që dyshojnë se vendosin sende në një qese të riciklueshme me qëllimin për t’u larguar pa paguar.
“Është e vështirë të gjykosh nëse ata po vjedhin apo jo,” tha një punonjës i supermarketit në Tokio.
Si përgjigje, një grup jofitimprurës ka prodhuar postera që këshillojnë klientët për “etiketimin e blerjes”, siç janë mbajtja e çantave të tyre të ripërdorshme të palosura derisa të kalojnë nëpër arkë.
Një ekspert i vjedhjes së dyqaneve ka sugjeruar që punonjësit të bisedojnë me blerësit “për t’i mbajtur ata nën vëzhgim”. Pavarësisht nga lindja dhe rritja e krimit të vogël, aktivistët thonë se tarifimi i qeseve plastike ishte vonuar prej kohësh në Japoni, prodhuesi i dytë më i madh në botë i mbetjeve plastike për banor pas SHBA-ve, ku konsumatorët përdornin rreth 30 miliard qese plastike në vit. /Burimi: TheGuardian/ Në shqip: Gazeta “Si”/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



