Nga Gazeta Si- Në vetëm dy muaj, sistemi i paralajmërimit të shpejtë të Bashkimit Europian për ushqimin (RASFF) ka raportuar 5 raste të produkteve me origjinë nga Shqipëria, të cilat përbënin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e konsumatorit. Dy prej tyre janë veçanërisht alarmante, sipas ekspertit Ervin Resuli i cili ngre alarmin për produktët që konsumohen në Shqipëri.
1. 14 maj 2025 – Peshk ton shqiptar i konservuar, i eksportuar drejt Spanjës, u refuzua për mungesë të shenjës së identifikimit. Ky mungesë informacioni do të thotë se nuk dihet nga cili subjekt, në çfarë kushtesh është përpunuar dhe sa i gjurmueshëm është produkti. Rreziku etiketohet si “i mundshëm”, por pasojat mund të jenë fatale.
2. 2 maj 2025 – Gjermania raportoi prani të Salmonella spp. në një produkt barishtor (yarrow herb) me origjinë nga Shqipëria. Ky është një njoftim alarmi me klasifikim “serioz”, që do të thotë se ekspozimi i konsumatorëve ndaj këtij produkti mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore, veçanërisht për grupet e ndjeshme si fëmijët, të moshuarit apo personat me imunitet të dobët.

Pavarësisht këtyre alarmimeve zyrtare ndërkombëtare, Resuli thotë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka bërë asnjë komunikim publik, nuk ka publikuar emrat e subjekteve, sasitë e ndaluara, as destinacionin final të këtyre produkteve.
“Sot, nuk dihet nëse pas kthimit, këto produkte janë asgjësuar, janë magazinuar, apo janë futur sërish në treg për konsum nga qytetarët shqiptarë”, thotë Resuli, duke shtuar se është thjesht e trishtueshme dhe tragjike të konstatosh se përballë një rreziku real për shëndetin publik, “institucionet përgjegjëse kanë zgjedhur heshtjen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.