Ana e errët

Janë porositur edhe vrasje nga qelia, të fortët në burgje dinë si të jenë të lirë

Mbipopullimi nuk është më problem në burgje, megjithëse në krahasim me 2018 ka një rritje të numrit të personave të dënuar, apo në paraburgim. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Agim Ismaili doli para Komisionit të Sigurisë në Parlament, ku shpjegoi se si arriti të krijojë vende bosh.

“Gjatë vitit 2019 në burgjet shqiptare ka rreth 5490 të burgosur. Ne kemi investuar tek burgjet ekzistuese dhe janë ndërtuar disa burgje të reja, ndaj mendojmë se problemi i mbipopullimit të burgjeve është një problem që i përket të shkuarës”, deklaroi Ismaili.

Aktualisht ka rreth 5500 të burgosurish, ose rreth 200 të burgosur më shumë se në vitin 2018. Por, pavarësisht kësaj, hapja në gusht të vitit të kaluar e burgut të Reçit në Shkodër, me kapacitet prej 780 të dënuarish e ka normalizuar situatën. Burgu është një investim i BE me 15 mln euro dhe 4 mln euro të tjera të Qeverisë shqiptare.

Megjithatë, problematika të tjera ekzistojnë. Njëra prej tyre është trajtimi i pabarabartë i të burgosurve, ku të ashtuquajturit “të fortë” kanë akses të pakufizuar me botën e jashtme përmes telefonave dhe futjes në qeli të sendeve të tjera të ndaluara. Ismaili e renditi këtë mes sfidave kryesore që është përballur që prej marrjes së detyrës.

“Lufta ndaj diskriminimit në burgjeve, për t'i dhënë fund praktikës që një i burgosur VIP përdor sistemin apo për të pasur benefite, për t’i dhënë fund dhe secili të vuajë dënimin si të gjithë të tjerët. Ka pasur trajtime preferenciale për të burgosurit përsa u përket takimeve, ambienteve, ushqimit e të tjerave, por kanë marrë goditje të fortë”, u shpreh ai.

Mes “lehtësive” të jashtëligjshme që përdorin të burgosurit VIP janë telefonat. Ismaili pranoi se në të shkuarën ka sinjalizime se telefonat celularë janë përdorur për të porositur vrasje nga qelia. Po, ashtu, Ismaili pranoi ekzistencën e rasteve kur vetë punonjësit e policisë së burgjeve favorizojnë të burgosurit VIP, madje duke u futur në qeli edhe lëndë narkotike.

Kjo ka ndryshuar, tha Ismaili, duke cituar raportin se për një vit janë ulur nga rreth 330 raste të gjetjes së telefonave, lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të paligjshme në qeli në rreth 220. Një meritë për këtë, kreu i burgjeve ja njeh përforcimit të legjislacionit, të njohur si 41-Bis, term i huazuar nga Italia për të ashtuquajturin “Burg i rëndë”, që izolon në qeli dhe mban larg kontaktet personat e dënuar si pjesë e organizatave kriminale, apo terrorizëm.

Ashpërsimet kanë nisur të zbatohen tek një pjesë e burgjeve, duke vendosur emra të lakuar të botës së krimit në izolim të rreptë. Më parë, kjo kompetencë, nëse të burgosurve u gjendeshin në qeli celularë, lëndë narkotike apo të tjera sende të paligjshme ishte në dorën e drejtorëve të burgjeve. Por, Ismaili tha para Komisionit të Sigurisë se në asnjë rast drejtorët nuk kanë dhënë një masë të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë