Politike

James Rubin nga Haga: Organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë

Nga Gazeta ‘Si’- Në ditën e dytë të dëshmisë në Hagë, ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, u pyet nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport”, është shprehur Rubin.

“Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, ka thënë ai.

“Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, ka shtuar Rubin.

James Rubin duke dhënë dëshminë.
James Rubin duke dhënë dëshminë.

Ai ka thënë se raportet e Kryqit të Kuq i konsideronte më të besueshme.

Më herët, Rubin pohoi se mund të jetë në dijeni të raporteve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilat shkruanin se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vrasje, ndalime, rrëmbime edhe të civilve shqiptarë.

Prokurori e pyeti për disa artikuj specifikë në gazetat e asaj kohe për vrasje dhe arrestime të disa individëve.

Megjithëse ai shtoi se nuk i kujtohen raste specifike që janë shkruar në raprote apo në mediat ndërkombëtare pas më shumë se 20 vjetësh.

I pyetur nëse kishte dëgjuar të thuhej se UÇK-ja po kryente krime, gjatë kohës që Rubin po përcillte konfliktin në Kosovë, ai tha se nëse do të kishte dëgjuar, do t’i mësonte, por shtoi se “disa gjëra u shfaqën pas luftës”.

James Rubin tregoi edhe arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.

Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha ai.

Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, shtoi ai.

“Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë