Laçi ka pasur së fundmi dy çështje në FIFA, teksa ka dalë fitues në të dyjat. E para kishte të bënte me transferimin e James Adeniyi, për të cilin azerët duhet të paguanin te bardhezinjtë kontributin e solidaritetit pasi e blenë sulmuesin nga Skënderbeu. Nigeriani ishte pjesë e Laçit në periudhën janar 2014-janar 2016 dhe më pas u shit te korçarët. Pasi tentuan ta zgjidhnin me bashkëbisedim, çështja shkoi në FIFA dhe kurbinasit e fituan çështjen dhe Gabala duhet të paguajë rreth 2300 euro, pasi në të kundërt rrezikojnë bllokimin e merkatos.
Sakaq, kurbinasit kanë fituar edhe një tjetër çështje, pasi klubi italian A.S.D Atletico Logidiani kërkonte taksën e formimit të mbrojtësit Irlian Ceka. Mbrojtësi, 22 vjeç, në janar të vitit 2019 iu bashkua Laçit, por pas një dëmtimi nuk ia doli të luante.
Ndërkaq, sezonin e shkuar, Ceka provoi të luajë me kurbinasit, por nuk gjeti hapësira dhe u largua nga kurbinasit. A.S.D Atletico Logidiani e dërgoi çështjen në FIFA, që e ka hedhur poshtë kërkesën e italianëve dhe Laçi nuk do të duhet të paguajë asgjë.
VENDIMI I FIFA:
Vendimin i Nënkomisionit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s për çështjen Ref. Nr. TMS 6438, që i përket KF Laçi kundër FK Gabala në lidhje me transferimin e lojtarit Segun James Adeniyi.
Nëpërmjet këtij vendimi është vendosur:
Pranimin e padisë së Paditësit KF Laçi.
Detyrimin e të Paditurit FK Gabala, t’i paguajë Paditësit:
– 2,005 Euro kontribute solidariteti plus 5% interesa në vit deri në datën e kryerjes së pagesës si më poshtë:
– për shumën 1,002.5 Euro që nga 31 gusht 2018;
– për shumën 501.25 Euro që nga 3 mars 2019;
– për shumën 501.25 Euro që nga 31 gusht 2019.
Paditësi duhet t’i njoftojë menjëherë të Paditurit numrin e llogarisë bankare, në të cilën i Padituri duhet të kryejë pagesën.
I Padituri duhet të vërtetojë kryerjen e pagesës në postën elektronike në adresën [email protected].
Në rast se shuma objekt detyrimi, (përfshirë të gjithë interesin e zbatueshëm) nuk paguhet nga i Padituri brenda 45 ditëve, nga njoftimi i numrit të llogarisë bankare nga ana e Paditësit, do të lindin pasojat e mëposhtme:
Të Paditurit do t’i ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar për 3 sezone transferimi të njëpasnjëshme.
Ndalimi do të hiqet menjëherë, pas konfirmimit që shuma e duhur (përfshirë të gjithë interesin e zbatueshëm) është marrë nga Paditësi.
Në rast të mos pagimit në kohë, çështja do t’i përcillet Komisionit të Disiplinës në FIFA për vendimmarrje.
Palët nuk kanë kosto procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.