Futboll

Jahmir Hyka stacionohet në Izrael, firmos për Makabi Netanya

Izraeli është stacioni i radhës në karrierën e mesfushorit-sulmues Jahmir Hyka. Futbollisti shqiptar ka nënshkruar kontratën e re me ekipin e Makabi Netanya, që renditet i pesti në elitën e futbollit izraelit, pas 20 javësh kampionat. Hyka u largua pak kohë më parë nga San Jose në MLS dhe ishte në kërkim të një ekipi të ri. Në një moment u fol edhe për një kthim të mundshëm te Tirana apo Lucerna në Zvicër, por 30-vjeçari tashmë ka nisur një aventurë të re në Izrael. Lajmi është publikuar edhe në faqen zyrtare të Makabi Netanya. Nuk dihen ende detajet e kontatës mes palëve, kohëzgjatjes së saj dhe shumës që do të përfitojë Hyka. Drejtuesit izraelitë i kanë besuar përvojës së shqiptarit, duke vlerësuar edhe faktin që ai ka luajtur vazhdimisht me Kombëtaren e Shëqipërisë. Hyka luan në pozicionin e sulmuesit të majtë, si dhe pas sulmuesit kryesor.

Jahmir Hyka është një lojtar që ka shëtitur në shumë kampionate. Ai ka luajtur në Norvegji me Rosenborgun, Në Greqi me Panioniosin, në Gjermani me Maincin, në Zvicër me Lucernën dhe në Amerikë me San Jose. Tani është radha e Makabi Netanya në Izrael.
Trajneri Kristian Panuçi disa herë e ka grumbulluar dhe disa herë jo Hykën në Kombëtare kohët e fundit. Ai luajti në ndeshjen me Izraelin në Ligën e Kombeve, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në krah, por në ndeshjet e fundit nuk ishte fare pjesë e listës. Mbetet të shihet, nëse Hyka do të merret në konsideratë nga trajneri italian për eliminatoret e Euro 2020. Kryeqytetasi ka luajtur me ekipet kombëtare të moshave kuqezi, kurse me Kombëtaren A ka shënuar 2 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë