Fatjon Rupi – Jahmir Hyka numëron 47 ndeshje me fanellën e Kombëtares dhe 2 gola të shënuar. Ai pret me shumë kureshtje, por edhe besim ndeshjen e sotme me Çekinë dhe atë me Poloninë pas 3 ditësh. Si shumica e shqiptarëve mendon se Kombëtarja ka shanse të mëdha kualifikimi për në Gjermani 2024.
Për Gazeta Si, Hyka flet me vlerësim për punën e trajnerit Silvinjo dhe duartroket lojën me theks sulmues që ai aplikon. Për ish-lojtarin e Kombëtares, Çekia dhe Polonia do të tregojnë forcën e vërtet të kuqezinjve, por ai pret gjëra të mira, sepse në këtë moment ekipi ynë ka më shumë alternativa dhe kualitet se ndoshta kurrë më parë.
“Kombëtarja më pëlqen, me aq sa kam ndjekur, – thotë Hyka për Gazeta Si. – Shoh që ka pozitivitet në grup, në ambientin përreth. Ka entuziazëm dhe kjo është diçka shumë e mirë për një skuadër futbolli. Po ashtu, ka një organizim mjaft të mirë të ekipit nga trajneri Silvinjo, i cili po bën një punë të mirë.
Duhet pranuar se Kombëtarja në këtë moment ka një grup lojtarësh të kompletuar, ka alternativa në çdo repart dhe në çdo rol. Me dy lojtarët që janë grumbulluar për herë të parë këtë radhë, Daku dhe Muja, ka edhe më shumë mundësi zgjedhjeje për trajnerin. Muja luan në një kampionat të fortë, është pjesë e një skuadre të mirë në Belgjikë si Antverp, që ka shkuar në grupet e Ligës së Kampionëve.
Ndoshta kurrë më parë nuk ka pasur kaq alternativa dhe stafi teknik do ta ketë të vështirë të zgjedhë. Por ky është një faktor shumë pozitiv për Kombëtaren, sepse sa më shumë konkurrencë dhe sa më shumë mundësi zgjedhjeje të ketë, aq më mirë është.
Më pëlqen skuadra dhe trajneri, sepse tani jemi një skuadër më sulmuese. Me Rejën jo se ishim keq, por ishim një Kombëtare më mbrojtëse, ndërsa me Silvinjon jemi më sulmues. Ai u jep më shumë liri sulmuesve anësorë, një rol që e njoh shumë mirë, sepse kam luajtur edhe vetë. Kjo mënyrë loje më pëlqen vërtet shumë”.
Duke kaluar më pas te kualifikimi i mundshëm, ish-sulmuesi me një karrierë të pasur, ku ka provuar të luajë në Eruopë, Amerikë dhe Azi, shprehet se kuqezinjtë janë afër Europianit.
“Tani kemi përpara dy ndeshje shumë të forta, siç janë Çekia dhe Polonia. Këto dy ndeshje do të tregojnë më qartë forcën e kësaj Kombëtareje. Janë kundërshtarë shumë të vështirë, sidomos Çekia që është edhe më në formë dhe kryeson grupin. Por edhe Polonia, edhe pse nuk ka formën optimale ndoshta, mbetet një ekip i fortë. E dimë shumë mirë se çfarë lojtarësh ka në përbërje të saj.
Shanset e kualifikimit për në Europianin 2024 realisht janë të mëdha dhe duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Na e dha këtë shans Polonia (me humbjen në Moldavi). Mendoj se jemi shumë afër Europianit dhe le të luajmë mundësitë tona. Ndoshta me pak fat shpresoj të kalojmë këto dy ndeshje me sukses”, – përfundon Hyka, që tashmë ka nisur karrierën e trajningut tek akademia e Dinamo City.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.