Ivan Savvidis ka qenë për vite të tëra “arma” kryesore e Kremlinit në Greqi. Miliarderi ruso-grek, ish-anëtar i Dumës ruse dhe pronar ekipit të Paokut, ka siguruar pushtet të konsiderueshëm në botën sportive dhe politike të të dyja vendeve. Ai ka gisht në çdo ngjarje që ndodh në Selanik dhe është një lojtar i njohur në botën e oligarkëve grekë dhe rusë. Të gjitha këto kanë bërë që miliarderi të tërheqë edhe vëmendjen e agjencive amerikane të spiunazhit.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara arritën të përgjonin në qershor disa biseda që tregonin se Savidis po punonte si agjent i Rusisë, për të bllokuar marrëveshjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, në mënyrë që të bllokonte anëtarësimin e Shkupit në Aleancën e Atlantikut Verior. Edhe vetë Greqia ka kundërshtuar gjatë hyrjen e Maqedonisë në NATO. Por Moska, e cila e sheh zgjerimin e aleancës si një kërcënim të madh, ishte e vendosur për të penguar me çdo kusht referendumin mbi marrëveshjen e emrit.
Zyrtarët amerikanë bënë një lëvizje jashtëzakonisht agresive, duke ia paraqitur përgjimet qeverisë së kryeministrit Alexis Tsipras. Qeveria greke u përgjigj duke dëbuar dy diplomatë rusë nga Athina dhe duke ndaluar hyrjen e dy të tjerëve. Spiunët dhe diplomatët amerikanë mbeten të kënaqur. Edhe pse referendumi nuk ishte ligjërisht i vlefshëm, për shkak të pjesëmarrjes së ulët, parlamenti maqedonas pritet të vendosë javën e ardhshme, nëse Shkupi do të anëtarësohet në NATO. Zyrtarët amerikanë e shohin ekspozimin e zotit Savidis dhe dëbimin e diplomatëve si një fitore e rrallë në luftën kundër fushatave ruse të dezinformimit në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ivan Savvidis, miliarderi ruso-grek dhe pronar ekipit të Paokut.
Lojëra spiunazhi
Kur zyrtarët amerikanë të sigurisë kombëtare hasën sinjalet e para, në verën e vitit 2016, se Rusia po përpiqej të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane, Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes formuan një grup pune duke hetuar të gjitha përpjekjet e Kremlinit për të ndërhyrë në vendet e tjera, kryesisht në Europë. Në fund të pranverës së kaluar, ata zbuluan se Maqedonia ishte një objektivi i radhës. Më 12 qershor, zyrtarët maqedonas dhe ata grekë firmosën në Prespë marrëveshjen e emrin për t’i dhënë fund përplasjeve, me kusht që Greqia të hiqte veton për anëtarësimin e Shkupit në organizatat perëndimore.
Moska nuk ishte e kënaqur. Në një konferencë në Athinë, tre ditë pas marrëveshjes së Prespës, një diplomat i lartë rus lëshoi një paralajmërim të zjarrtë ndaj Perëndimit, duke sinjalizuar se Moska do të bënte gjithçka për të bllokuar anëtarësimin e Maqedoninë në NATO.
“Sigurisht, ne nuk do të hakmerremi me bomba bërthamore,” tha Vladimir A. Chizhov, ambasadori i Rusisë në Bashkimin Europian. “Por ka gabime që kanë pasoja”. Geoffrey R. Pyatt, ambasadori amerikan në Greqi, ishte i pari që paralajmëroi se Moska do të përpiqej të pengonte referendumin e ardhshëm. Departamenti i Shtetit, CIA dhe Komanda Europiane e Pentagonit, me seli në Shtutgart, ngritën gjithashtu alarmin për këtë rrezik.

Një muaj para referendumit, në Maqedoni u hapën qindra faqe internetit që lobonin për bojkotimin e votimit. Të tjera postime në Facebook u bënin thirrje maqedonasve të digjnin fletëvotimet. Madje ditën e arritjes së marrëveshjes së Prespës, para parlamentit maqedonas shpërthyen një sërë protestash të dhunshme. Këtyre shqetësimeve iu shtua edhe ndërhyrja e Savidis. Si një anëtar i partisë së Putinit, ai kishte qenë në radarin e agjencive amerikane dhe greke të inteligjencës për vite të tëra. Por Savidis tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare si pronar i ekipit të Paokut, gjatë një ndeshjeje kundër skuadrës së Athinës, kur u fut në fushë i armatosur me një pistoletë dhe i rrethuar nga dhjetëra truproja. Lojtarët e ekipit të Athinës u larguan nga fusha, të shqetësuar për sigurinë e tyre. Në këto kushtë, ndeshja u anulua.
Në qershor, zyrtarët amerikanë përgjuan emailin dhe telefonin e Savidis, duke zbuluar se ai kishte paguar protestuesit që rrethuan parlamentin në Shkup ditën e marrëveshjes së Prespës. Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se agjencitë amerikane gjetën të dhëna financiare që vërtetonin se Savidis fshihej pas pagesave të qytetarëve dhe tifozëve e futbollit, për të nxitur protesta të dhunshme kundër referendumit të Maqedonisë.

Sipas Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Savidis u dha kundërshtarëve të marrëveshjes për emrin së paku 300,000 euro, ose rreth 350,000 dollarë. Paratë shkuan për politikanë maqedonas, organizata radikale nacionaliste dhe huliganët e futbollit të klubit Vardar, të cilët organizuan protesta të dhunshme para ndërtesës së parlamentit. Savidis mohoi akuzat si të rremë dhe të “fabrikuara” nga perëndimi.
SHBA ia kalon informacionet Alexis Tsipras
Misioni i informimi të qeverisë greke për raportet e inteligjencës amerikane iu caktua zotit Pyatt, një diplomat i shquar amerikan, i cili ka qenë ambasadori i Uashingtonit në Athinë për dy vjet. Pyatt ishte i përgatitur për një rol të tillë, pasi ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë nga viti 2013 deri në vitin 2016, kur Rusia aneksoi Krimenë. Por përcjellja e këtyre informacioneve kryeministrit grek nuk do të ishte një detyrë e lehtë. Tsipras, kishte refuzuar të bashkohej me pjesën tjetër të Europës për helmiminn e spiunit rus në Britaninë e Madhe dhe vjen nga një parti politike që njihet për marrëdhëniet e ngushta me Moskën. Megjithatë, vendimi për të dalë kundër Rusisë u bë më i lehtë pasi Tsipras zbuloi se Kremlini po përpiqej të bllokonte një marrëveshje, që ai dhe kryeministri Zaev, e kishin arritur mes shumë pengesave.
Diplomacia e ndjekur nga qeveritë amerikane përgjatë viteve të fundit duket se ishte gjithashtu një ndihmesë e madhe. Qeveria e Obamës ishte pranë Greqisë gjatë krizës financiare, duke kërkuar me ngulm qëndrimin e Athinës në Eurozonë. Presidenti Trump priti Tsipras tetorin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë dhe të dyja vendet po diskutojnë zgjerimin e pranisë së ushtrisë amerikane në Greqi, duke përfshirë edhe dhënien e aksesit për ankorimi e anijeve dhe uljen e avionëve të Shteteve të Bashkuara.

Betejë diplomatike Rusi-Greqi
Më 11 korrik zoti Tsipras vendosi të “godiste” Moskën. Qeveria e tij dëboi dy diplomatë rusë dhe ndaloi hyrjen e dy diplomatëve të tjerë në Greqi, duke i akuzuar për korruptimin e disa zyrtarëve të lartë greke dhe nxitjen e demonstratave kundër marrëveshjes së Maqedonisë. “Mosrespektimi i Greqisë duhet të marrë fund”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme greke. “Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Greqisë”.
Moska u hakmor pak ditë më vone duke përjashtuar diplomatët grekë. Pak momente pasi Athina njoftoi se po dëbonte diplomatët rusë, Pyatt i dërgoi një sërë emailesh kolegëve dhe ish-kolegëve në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon, për t’u dhënë lajmin e mirë.

“Ndikimi që Rusia është duke ushtruar, nga Maqedonia deri në Shtetet e Bashkuara, po rritet dita-ditës “, tha sekretari i Mbrojtjes Mattis para gazetarëve më 11 shtator, gjatë një vizite zyrtare në Shkup. Në një konferencë të dytë me kryeministrin Zaev, ai deklaroi se Amerika qëndron më shumë se kurrë me popullin maqedonas.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara po bënin diçka për të luftuar përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në referendum, zoti Mattis tha: “Po”. Ai nuk pranoi të hynte në hollësi, por zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thanë se kanë ndërmarrë operacione të fshehta, së bashku me qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, për të minimizuar disinformimin rus në zgjedhjet dhe referendumet e vendeve të tyre. /The New York Times/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.