Lexo me "Si"

J.K. Rowling, guximi për të mos u dorëzuar, pavarësisht gjithçkaje

Sot është ditëlindja e J.K. Rowling, një grua që ishte në gjendje të përmbushte ëndrrën e saj për t'u bërë shkrimtare pavarësisht vështirësive

31 korriku është ditëlindja e J. K. Rowling, shkrimtare, skenariste dhe producente britanike. Fama e saj lidhet me serinë e romaneve të Harry Potter. Autorja që revolucionarizoi letërsinë për fëmijë me magjistarin e saj ishte shembull edhe në raste të tjera. Kështu ka thënë J.K. Rowling në qershor 2008 përpara të diplomuarve të fundit në Harvard, në të cilin ajo u foli studentëve për rëndësinë e dështimit.

“Të kisha një makinë kohe ose një kthim të kohës, unë do t'i thoja vetes sime 21-vjeçare se lumturia personale gjendet në njohjen që jeta nuk është një listë e gjërave për të arritur ose për të pasur sukses. Kualifikimet e tua, CV-ja jote, nuk janë jeta jote, megjithëse mund të hasësh shumë njerëz të moshës sime e sipër që i ngatërrojnë të dyja”.

Autorja e Harry Potter-it është një grua që ishte në gjendje të ngulmonte në ëndrrën e saj pavarësisht vështirësive, pa u dorëzuar apo shikuar prapa. Dikur ishte një nënë beqare, e papunë, tani është një shkrimtare e suksesshme, e pasur dhe me ndikim sa mbretëresha Elizabeth. Le ta pranojmë, historia e saj është kaq e bukur pikërisht sepse na lejon të besojmë se magjia nuk gjendet vetëm në Hogwarts, por edhe në ëndrrat e mëdha që realizohen vetëm nëse je mjaftueshëm i guximshëm për të mos hequr dorë kurrë.

J.K. Rowling dhe rëndësia e dështimit

“Mos kini frikë të dështoni; mësoni gjithçka që mundeni nga dështimi”- u tha J. K Rowling studentëve të Harvardit – dhe kjo është ajo që Rowling mësoi kur shtëpitë botuese refuzuan romanet e saj për vite me radhë.

Në vitin 1995 J.K. Rowling, pasi u nda nga i shoqi, u transferua në Edinburg me vajzën e saj, pa para, pa punë. Duket pothuajse e pamundur ta imagjinosh atë 20 vjet më parë, e pakënaqur me jetën e saj, e etur për t'u bërë shkrimtare, por aq e frikësuar se bota nuk do ta vërente kurrë talentin e saj të madh. Pikërisht në atë periudhë ndoshta më të errët të jetës së saj, Joanne nuk u nda asnjëherë nga makina e shkrimit, përkundrazi shkrimi iu bë shoqja e saj më e ngushtë. Ajo vazhdoi të shkruante, pa pushim, në trena dhe në pijetoren e Edinburgut ku kalonte shumë kohë. Duke u frymëzuar nga njerëzit që kishte takuar dhe përvojat që kishte, ajo përfundoi shkrimin e romanit të parë të Harry Potter, i cili u refuzua nga shumë shtëpi botuese përpara se të botohej nga Bloomsbury pak i njohur në atë kohë pothuajse 20 vjet më parë.

Hiqni dorë nga gjithçka që nuk është thelbësore

“Të dështoja për mua do të thoshte të zhvishesha nga gjithçka që nuk ishte thelbësore. Unë ndalova së pretenduari se isha dikush që nuk isha dhe fillova të kanalizoja të gjitha energjitë e mia në të vetmen punë që kishte rëndësi për mua. Nëse do të kisha qenë e suksesshme në ndonjë gjë tjetër, ndoshta nuk do të kisha gjetur kurrë vendosmërinë për të pasur sukses në një fushë që besoja vërtet se i përkisja. Isha e lirë, sepse frikërat e mia më të këqija i kisha superuar, por isha ende gjallë, kisha një vajzë që e adhuroja, kisha një makinë shkrimi të vjetër dhe një ide të mrekullueshme. Unë kisha arritur fundin e gurit dhe ai fund shkëmbi u bë themeli mbi të cilin do të rindërtoja jetën time”.

Shkrimtarja përdori pseudonimin J.K Rowling sepse shanset për shitje ishin më të mëdha nëse autori i librit mendohej të ishte burrë dhe nuk ishte hera e parë që shkrimtarja britanike zgjodhi të shkruante duke përdorur një identitet mashkullor. Në fakt, mund të lexojmë disa nga romanet e saj të botuara me emrin Robert Galbraith, i fundit që daton disa muaj më parë. Tani romanet e Harry Potter, të refuzuara dhe të nënvlerësuara nga shumë botues, janë bërë një fenomen letrar që ende nuk ka të ngjashëm në botë.

Në vitin 2008, me një sukses global pas saj dhe një famë që shumë pak njerëz në botë mund të mburren, shkrimtarja, duke pranuar se ishte shumë e emocionuar që ishte para një mikrofoni përballë të sapodiplomuarve të universitetit prestigjioz amerikan zgjodhi të mos fliste për arritjet e saj, por për dështimet e saj, pa të cilat ajo nuk do të kishte gjetur kurrë forcën për t'i treguar botës se çfarë ishte e aftë. /Libreriamo/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë