Bota

Izraeli vret liderin që financioi masakrën e Hamasit. Dështon Samiti i Gjenevës pas 3 orë bisedimesh

Gazeta Si – Izraeli dhe Irani kanë shkëmbyer sulme të tjera mëngjesin e sotëm duke hyrë kështu në ditën e 9-të të bombardimeve të ndërsjellta mes dy vendeve.

Forcat ajrore të Izraelit kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj bazave të raketave iraniane ku përfshihen qendra magazinimi dhe lëshimi raketash në qendër të vendit.

Sipas mediave, Izraeli ka goditur objektin bërthamor në Isfahan, por nuk ka patur viktima apo dëme të rrezikshme.

Sipas mediave, janë zhvilluar 3 orë bisedime të premten, por pa përparim në takimin e parë midis ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së dhe ministrin e Jashtëm të Iranit, një javë pas fillimit të sulmeve ndaj vendeve bërthamore dhe ushtarake në Teheran nga Izraeli.

Qëllimi i takimit, në një hotel në Gjenevë, ishte të bindte Iranin të pranonte kontroll më të fortë mbi programin e tij bërthamor nga IAEA dhe aktivitetet e tij balistike, në mënyrë që të shmangte ndërhyrjen e armatosur nga Shtetet e Bashkuara.

“Saeed Izadi, kreu i divizionit të Forcës Palestineze Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, u vra në një sulm izraelit ndaj një apartamenti në qytetin iranian të Qomit”, tha Ministri i Mbrojtjes Israel Katz, duke shpjeguar se Izadi “financoi dhe armatosi Hamasin para masakrës së 7 tetorit. Kjo është një arritje e madhe për inteligjencën izraelite dhe Forcën Ajrore Izraelite. Drejtësi për ata që u vranë më 7 tetor dhe pengjet. Krahu i gjatë i Izraelit do të arrijë të gjithë armiqtë e tij”, shtoi ai.

Sipas pretendimeve të forcave izraelite, është vrarë në sulme edhe For Judaki, komandanti iranian i njësisë së dytë të dronëve të Gardës Revolucionare. Judaki është urdhëruesi për qindra sulme me dron në Izrael.

Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve izraelite është vrarë një 16 vjeçar në qytetin e Qomit dhe 2 persona janë plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë