Bota

Izraeli sulmon udhëheqësit e Hamasit në Katar

Izraeli zhvilloi një sulm ajror dhe bombardoi selinë e Hamasit në Katar, ku në atë moment ndodheshin drejtues të lartë të organizatës islamike. Një zyrtar izraelit konfirmoi për rrjetin televiziv Channel 12 se operacioni synonte eliminimin e figurave të larta të Hamasit në Doha.

Të hënën, kryenegociatori i Hamasit, Khalil Al-Hayya, u takua me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, në Doha.

Sulmi duket se shënon herën e parë që Izraeli ka ndërmarrë një operacion në Katar.

Sipas një zyrtari të lartë izraelit, presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar personalisht operacionin ushtarak, duke shtuar se ka pasur “konsensus të plotë” mes lidershipit politik dhe atij të sigurisë në Izrael për këtë veprim.

Kryeministri izraelit Netanyahu reagoi pas sulmit në rrjetet sociale duke thënë se përgjegjësia për të i takon vetëm shtetit të tij.

“Aksioni i sotëm kundër krerëve kryesorë terroristë të Hamasit ishte një operacion tërësisht i pavarur izraelit. Izraeli e nisi, e kreu dhe merr përgjegjësi të plotë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Katari ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si një shkelje flagrante të ligjeve ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të tij.

Televizioni izraelit Kan raportoi se lideri politik i Hamasit, Khalil al-Hayya, është vrarë në sulmin ajror, ndërsa burime të tjera përmendin edhe vrasjen e Zaher Jabarin, kreut të Hamasit për Bregun Perëndimor.

Megjithatë, Hamasi përmes një deklarate për Al Jazeera ka mohuar vdekjen e Khalil al-Hayya, duke thënë se ai është i gjallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë