Bota

Izraeli sulmon sitet bërthamore të Iranit dhe vret liderët ushtarakë, Teherani lëshon 100 dronë. SHBA mohon përfshirjen

Gazeta Si – Izraeli ka nisur sulme të paprecedentë ndaj Iranit, duke synuar programin e tij bërthamor dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë në një sulm që kryeministri Benjamin Netanjahu tha se do të zgjasë shumë ditë.

Sulmi e zhyt Lindjen e Mesme në një pasiguri të re, duke rritur rrezikun e një lufte rajonale, ndërsa Izraeli përgatitet për hakmarrjen e Iranit .

Gjenerali Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, ishte midis të vrarëve në sulme. Ai ishte midis figurave më të fuqishme dhe me ndikim në vend.

Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishin marrë pjesë në operacion, gjë që rrit rrezikun e një përshkallëzimi të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Krahas sulmeve të gjera ajrore, agjencia e spiunazhit Mossad e Izraelit udhëhoqi një sërë operacionesh të fshehta sabotimi brenda Iranit, raportoi “Axios”, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit. Këto operacione kishin për qëllim dëmtimin e vendeve strategjike të raketave të Iranit dhe aftësive të tij të mbrojtjes ajrore.

Gjithashtu raportohet se raketat goditën disa godina banimi ku u vranë shumë civilë, mes të cilëve dhe fëmijë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të kthehen në tryezën e negociatave pas fillimit të sulmeve ajrore izraelite ndaj Iranit.

Netanjahu tha se “Operacioni Rising Lion” goditi impiantin kryesor të pasurimit të uraniumit të Iranit në Natanz, shkencëtarët bërthamorë dhe atë që ai e quajti “zemra e programit të raketave balistike të Iranit”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite konfirmoi se më shumë se 200 aeroplanë luftarakë kanë marrë pjesë në këtë ofensivë, duke goditur mbi 100 objektiva strategjikë në Iran, përfshirë objekte bërthamore, baza ushtarake dhe godina të lidhura me Gardën Revolucionare Iraniane.

Në përgjigje të këtij sulmi, Irani ka lëshuar më shumë se 100 dronë drejt Izraelit, në atë që përshkruhet si një kundërsulm i drejtpërdrejtë. Sirena ajrore kanë rënë në disa qytete izraelite, ndërsa autoritetet paralajmëruan qytetarët për të qëndruar të strehuar.

Sipas burimeve të Sky News dhe Reuters, zëdhënësi i ushtrisë izraelite deklaroi se vendi do përballet me “disa orë të vështira përpara”.

Udhëheqësi suprem i Iranit reagoi menjëherë pas sulmit, duke paralajmëruar se “regjimi sionist duhet të presë një ndëshkim të ashpër” dhe se “i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm”.

Pozicioni i SHBA-së: Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se nuk pati përfshirje ose ndihmë të SHBA-së në sulme . “Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë