Bota

Izraeli rrethon Gazën, dronë amerikanë në aksion në zbulim të pengjeve të Hamasit

Gazeta Si – Forcat izraelite njoftuan të enjten se kanë rrethuar Gazën, qyteti kryesor i Rripit të Gazës, në përpjekjet për eliminimin e Hamasit. Grupi militant palestinez reagoi duke ndërmarrë sulme guerile nga tunelet nëntokësore.

Qyteti që shtrihet në pjesën veriore të Rripit të Gazës është bërë epiqendra e sulmit të ushtrisë izraelite, e cila është zotuar që ta asgjësojë strukturën komanduese të grupit islamik dhe u ka thënë civilëve që të largohen drejt jugut.

“Jemi në kulmin e betejës. Kemi pasur suksese të rëndësishme dhe kemi përparuar përtej periferisë së qytetit të Gazës. Ne po avancojmë”, deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

Ai nuk dha detaje të tjera. Mes shpërthimeve të forta në Gaza, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u tha gazetarëve se: “trupat kishin rrethuar qytetin e Gazës, pika qendrore e organizatës terroriste Hamas”, siç u shpreh ai.

Gjenerali Iddo Mizrahi, shef i inxhinierëve ushtarakë të Izraelit, tha se trupat po ndesheshin me mina dhe kurthe. “Hamasi ka mësuar dhe e ka përgatitur veten mirë”, tha ai.

Abu Ubaida, zëdhënës i krahut të armatosur të Hamasit, tha në një dalje televizive të enjten se numri i të vdekurve nga radhët e Izraelit në Gaza ishte shumë më i lartë sesa kishte njoftuar ushtria.

“Ushtarët tuaj do të kthehen në arkivole”, tha ai. Izraeli thotë se ka humbur 18 ushtarë dhe ka vrarë dhjetëra militantë që nga zgjerimi i operacioneve tokësore të premten. Banorët, të cilët treguan filmime nga beteja, thanë se Hamasi dhe luftëtarët aleatë të Xhihadit Islamik dilnin nga tunelet dhe sulmonin tanket dhe pastaj zhdukeshin në labiritin e nëndheshëm.

Ndërkohë, disa dronë amerikanë kanë fluturuar mbi Rripin e Gazës në kërkim të pengjeve izraelitë të rrëmbyer nga Hamasi dhe fraksionet palestineze.

Kjo është bërë e ditur nga mediat, duke cituar burime anonime amerikane, sipas të cilave dronët po mbledhin informacione për të ndihmuar në gjetjen e pengjeve.

Sipas një prej këtyre burimeve, dronët kanë qenë në funksion për më shumë se një javë. Mes pengjeve ka edhe shtetas amerikanë me pasaporta të dyfishta.

Ata menaxhohen nga Komanda e Forcave Speciale, e cila ka dërguar disa grupe ushtarësh në Izrael, gjithmonë për të ndihmuar në kërkimin e të dhënave për të burgosurit dhe milicët e Hamasit që i rrëmbyen ata. Dronët përfaqësojnë vetëm një komponent të “gjuetisë”, me përdorim të gjerë të avionëve zbulues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë