Gazeta Si – Izraeli ka filluar fazën e parë të ofensivës së planifikuar tokësore në qytetin e Gazës, duke hyrë në lagjet “Zeitoun” dhe “Jabalia” pas ditësh bombardimesh intensive.
Qyteti, që strehon mbi një milion palestinezë, po përballet me një situatë të rëndë humanitare, teksa dhjetëra mijëra njerëz po largohen drejt jugut të Rripit të Gazës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se po “shkurton afatet” për marrjen nën kontroll të “fortesave të fundit të terrorit në Gaza”. Mbi 60 mijë rezervistë janë thirrur për në shtator, ndërsa brigada të tëra tashmë veprojnë në lagjet Zeitoun dhe Jabalia. Ushtria izraelite pretendon se ka zbuluar tunele të armatosura, ndërsa civilëve u kërkohet të evakuohen.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur katastrofën e mëtejshme humanitare.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se ofensiva do të përkeqësojë krizën dhe rrezikon të destabilizojë më tej rajonin.
Ushtria izraelite ka mobilizuar rreth 60,000 rezervistë për ofensivën, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se po “shkurton afatet” për marrjen e plotë të qytetit, të cilin e cilëson si një “strofull terrori” të Hamasit.
Ndërkohë, Hamasi e ka quajtur luftën një “sulm brutal kundër civilëve” dhe ka akuzuar Netanyahun për shpërfillje të një propozimi të ri për armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti, të cilin grupi e ka pranuar.
Izraeli ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare, por ka theksuar se kërkon një marrëveshje të plotë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila citohet nga OKB-ja, të paktën 62,122 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1,200 izraelitë dhe u morën peng 251 të tjerë.
Vetëm të mërkurën, 20 gusht, u raportuan 25 viktima, përfshirë tre fëmijë dhe prindërit e tyre në kampin e refugjatëve Shati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




