Gazeta Si – Djali i dytë i Ali Khameneit, Mojtaba Khamenei, është emëruar si Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit.
Mediat shtetërore iraniane e njoftuan lajmin në një deklaratë të lëshuar nga Asambleja e Ekspertëve, organi i 88 klerikëve të ngarkuar me zgjedhjen e pasardhësit të Khameneit.
Gjatë gjithë të dielës, kishte pasur indikacione se Asambleja kishte rënë dakord për një emër, dhe indikacione se ishte Mojtaba Khamenei, i cili ishte konsideruar si kandidati kryesor për ditë të tëra.
Ai është 56 vjeç dhe prej kohësh është konsideruar shumë me ndikim, pavarësisht se nuk ka asnjë rol zyrtar brenda regjimit.
Mojtaba Khamenei është bërë kështu udhëheqësi politik dhe fetar i Iranit, si dhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura.
Në deklaratë, Asambleja e Ekspertëve u kërkon iranianëve të zotohen për besnikëri ndaj udhëheqësit të ri dhe të ruajnë unitetin.
Ditët e fundit, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump kishte thënë se e gjente këtë “të papranueshme” dhe se çdo udhëheqës që nuk kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nuk do të “zgjaste shumë”.
Trump reagoi duke thënë se qëndrimi i liderit të ri në pushtet nuk do të zgjasë pasi nuk është marrë miratimi i Amerikës.
“Ai do të duhet të marrë miratimin tonë. Ne duam të sigurohemi që nuk do të na duhet të kthehemi këtu çdo dhjetë vjet, kur ndoshta nuk do të keni një president si unë që është i gatshëm ta bëjë këtë”, tha Trump.
Ndërsa Izraeli ka thënë se do të shënjestrojë si objektiv të qartë çdo pasardhës të Khameneit dhe këdo që përpiqet ta emërojë atë.
Më herët, “Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur sulmin e tyre të parë në Iran”, raportuan mediat izraelite, duke theksuar se sulmi kishte në shënjestër një impiant iranian të desalcimit.
“Izraeli beson se sulmi është, për momentin, thjesht një sinjal për regjimin iranian; megjithatë, nëse sulmet e Teheranit do të intensifikohen, ekziston një mundësi reale”, raportuan mediat izraelite, “që Emiratet t’i bashkohen konfliktit me një kapacitet të kufizuar”.
Disa orë më vonë, lajmi u mohua nga qeveria e Emirateve, e cila shkroi në një deklaratë se nuk kishte ndërmend të “zvarritej në konflikt ose të provokonte një përshkallëzim”, por vetëm të mbrohej.
Ndërkohë, Abu Dhabi njoftoi se “mbrojtja ajrore zbuloi 17 raketa balistike, 16 prej të cilave u shkatërruan, ndërsa njëra ra në det. U zbuluan gjithashtu 117 dronë, nga të cilët 113 u kapën dhe 4 ranë në territorin kombëtar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje