Bota

Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshjen e armëpushimit, Trump: Pritet lirimi i pengjeve

Gazeta Si – Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar marrëveshjen për të ndalur luftimet në Gaza, për të liruar pengjet izraelitë si dhe të burgosurit palestinezë.

Mediat britaniko-amerikane bëjnë të ditur se zbatimi i marrëveshjes pritet të nisë të dielën. Marrëveshja parashikon që Hamasi do të lirojë 33 pengje izraelitë gjatë fazës së parë. Qindra të burgosur palestinezë pritet të lirohen nga Izraeli në të njëjtën kohë.

Lirimi i pengjeve izraelitë nga Hamasi do të ishte faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit. Kjo gjë pritet të ndodhë brenda 16 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit.

Pas kësaj kohe, do të jenë negociatat e fazës së dytë me synimin për t’i dhënë fund luftës më shumë se 1-vjeçare.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se është arritur një marrëveshje për pengjet në Gaza, pas raportimeve se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi.

“Kemi një marrëveshje për pengjet në Lindjen e Mesme. Ata do të lirohen së shpejti”, postoi Trump një mesazh në platformën e tij, “Truth Social”.

Marrëveshja për arritjen e armëpushimit është zhvilluar me ndërmjetësimin e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur.

Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 46.000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hamasit është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë