Gazeta Si – Izraeli i është kundërpërgjigjur sulmit të ri nga Libani në territorin e tij. Këtë mëngjes, një raketë antitank u lëshua nga përtej kufirit drejt një pozicioni izraelit pranë zonës arabe të al-Aramshe në Galilenë perëndimore.
Ndërkohë që mediat izraelite raportojnë se ushtria vendase ka nisur bombardimet në zonat libaneze, ku dyshohet se ka ndodhur sulmi.
Sakaq, numri i të vdekurve nga sulmi i nisur të shtunën nga Hamasi, është rritur në të paktën 1,200 me rreth 3,000 të plagosur në Izrael.
Lajmi u raportua nga mediat izraelite, të cilat cituan ushtrinë vendase. Ndërsa sipas asaj që është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, numri i viktimave palestineze ka shkuar në 950 dhe 4,600 të plagosur.
Dhjetëra avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite kanë goditur më shumë se 200 objektiva në lagjen Al-Furqan në Gaza, që besohet të jetë pika e nxehtë nga ku Hamasi harton dhe ekzekuton sulmet. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se ky është kundërsulmi i tretë në zonë gjatë 24 orëve të fundit.
Presidenti i SHBA Joe Biden e ka përshkruar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit – i nisur të shtunën – si një “akt të së keqes së plotë”.
Avioni i parë amerikan që mban armë për Izraelin ka mbërritur në jug të vendit. SHBA po punon me vendet e tjera për të krijuar një korridor që do të lejojë civilët në Gaza dhe amerikanët që duan t’i shpëtojnë luftës të largohen.
Kjo është raportuar nga NBC, duke cituar disa burime, sipas të cilave korridori do të ishte në jug të Gazës dhe do të çonte në Egjipt.
Ndërkaq ushtria izraelite ka konfirmuar se rreth 300,000 ushtarë janë vendosur pranë Rripit të Gazës për luftën kundër Hamasit.
“Ajo që po bëjmë në këto zona afër Rripit është se kemi dërguar dhe dislokuar këmbësorinë tonë, ushtarët tanë të blinduar, trupat tona të artilerisë dhe shumë ushtarë të tjerë rezervë: gjithsej 300,000. Dhe kjo është për të siguruar që Hamasi, në fund të kësaj lufte, nuk do të ketë aftësi ushtarake me të cilat të kërcënojë ose vrasë civilët izraelitë”, shpjegoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite Jonathan Conricus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



