Bota

Izraeli bombardon jugun e Gazës teksa liderët zhvillojnë një bisedë telefonike

Nga Gazeta ‘Si’- Izraeli i ka ashpërsuar të shtunën(20 janar) sulmet në jug të Rripit të Gazës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan, Joe Biden kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Dëshmitarët kanë thënë se bombardimet izraelite kanë në fokus qytetin Han Junis, më të madhin në pjesën jugore të Gazës së kontrolluar prej Hamasit.

Biden dhe Netanyahu kanë zhvilluar bisedën e tyre të parë telefonike prej 23 dhjetorit, pasi lideri izraelit ka përsëritur kundërshtimin për çfarëdo sovranitet palestinez, duke thelluar kështu ndasitë me SHBA-në, aleaten më të madhe të Izraelit, sidomos në këtë luftë.

Biden tha të premten se në bisedën me Netanyahun, me të cilin ka marrëdhënie të komplikuar prej 40 vitesh, është e mundshme që lideri izraelit ende mund të veprojë.

“Janë disa lloje të zgjidhjeve me dy shtete. Është një numër shtetesh që janë anëtare të OKB-së që nuk i kanë ushtritë e tyre”, ka thënë Biden para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Prandaj, mendoj që ka rrugë që mund të funksionojnë”.

Netanyahu ka thënë të enjten se Izraeli “duhet të ketë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të Lumit të Jordanisë”, gjë që është “në kundërshtim me idenë e sovranitetit të palestinezëve”.

Teksa dy liderët kanë biseduar se çfarë mund të ndodh në të ardhmen, realiteti i luftës është i qartë në Han Junis dhe pjesën tjetër të Gazës.

Konflikti ka nisur pas sulmeve të pashembullta të Hamasit në Izrael, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, dhe ofensiva e tij ajrore e tokësore ka lënë të vdekur mbi 24.000 palestinezë, sipas të dhënave shëndetësore të autoriteteve në Gazë.

Netanyahu ka thënë se pret që lufta do të vazhdojë me muaj, mirëpo në komentet e tij ditë më parë e ka kundërshtuar zgjidhjen me dy shtete, të përmendur nga SHBA-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë