Nga Gazeta Si- Zjarri në landfillin e mbetjeve të Elbasanit vijon ende edhe ditën e sotme, edhe pse jo me intensitet të lartë.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit, Arben Cara, sqaroi dje, 1 korrik, se për shkak të mbetjeve, janë të detyruar të përdorin shkumë për shuarjen e zjarrit pasi janë mbetje shumë të vështira për tu fikur.
“Po punohet intensivisht për izolimin e vatrës së zjarrit. Kuptohet, kemi të bëjmë me mbetje që janë shumë të vështirë për t’u fikur, pasi kërkohet një specifikë e veçantë siç është shkuma në këtë rast. Po përdoret shkuma nga të gjitha automjetet”, tha Cara, duke shtuar se vatra është shumë e përhapur dhe deri tani është arritur që të izolohet që të mos përhapet më tej.
Cara sqaron se fikja e zjarrit është e vështirë dhe për shkak të terrenit.
“Përtej forcave të angazhuara, edhe ushtria është e angazhuar por, edhe pse kjo vatër fiket, riaktivizohet në pak sekonda, pasi vetë infrastruktura nuk na mundëson që të kemi mjetet non-stop me ujë dhe shkumë. Duhet të shkojnë, të rimbushen, e të kthehen”, u shpreh ai.
I pyetur për arsyet e zjarrit, ai u shpreh se është ende herët për t’i përcaktuar.
“Shkaqet, janë shumë shpejt akoma. Akoma s’kemi filluar”, thotë ai.
Prej ditës së djeshme, i gjithë Elbasani është mbuluar nga tymi për shkak të zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



