Ema e dashuron ndjesinë e të ecurit shpejt me biçikletë, veçanërisht kur zbret kodrën e lagjes ku banon.
Me gjithë frikën që i shkakton të ëmës tek fluturon tëposhtë tatpjetës për të dalë në rrugë kryesore, ajo ecën përherë me entuziazmin e parë që kur prindërit i dhuruan biçikletën për ditëlindjen e gjashtë të saj.

“Më pelqen ndjesia e të ecurit shumë shpejt dhe sidomos kur xhiroj gomat. Tani ndihem e sigurtë dhe më pelqen edhe të ngrihem mbi biçikletë e ti jap në këmbë, bëj edhe ushtrime, sepse ti japesh biçikletës është si të bësh sport…Më duket më mirë të eci me biçiklete se sa me makinë edhe sepse me biçikletë ke mundësi me “save the world”. Megjithëse kam pak frikë kur dal në rrugë, sidomos kur zbres nga shtepia për tek liqeni, dhe gjithmonë e mbaj dorën gati tek frenat”- tregon Ema për gazetën “Si”.
Ajo rrëfen rrugëtimin e historisë së saj të re me biçikletën.

“Kur isha 6 vjeçe, prindërit më dhuruan një biçiklete që ishte me rrota ndihmëse, por filloi të bëhej e mërzitshme. Ndaj doja ta mësoja pa rrota ndihmëse. Bëra ca prova me mamin, por nuk funksionoi. Ditën tjeter më mori babi te liqeni dhe më sugjeroi që ti jepja tek një kodër e vogël, që të kisha mundësi të lëshohesha. Ia dola që herën e parë dhe babi më bëri një video që e ruaj ende edhe sot”- tregon Ema.
Në shtator ajo ka ditëlindjen dhe mezi pret biçikletën e re, sepse ka hedhur shtat dhe biçikleta e vegjëlisë është e vogël për të, por do ti mbetet të vëllait pasi babi ta modifikojë dhe lyej me ngjyra për djem.
Dashuria për biçikletën lind me njeriun tek disa syresh, tek disa të tjerë ngjizet nga prindërit.
Por në rrethanat e pandemisë, kur të gjitha vendet, përfshirë Shqipërinë u izoluan për një periudhë të gjatë, automjtetet nuk lejoheshin përpos me leje për emergjenca të caktuara, koha e lejes për Pazar ishte shumë e ngushtë, njerëzit gjetën si zgjidhje të domosdoshme biçikletën.
Në Tiranë kur del duket qartë rritja në masë e përdorimit të biçikliteva në radhët e të gjitha moshave.
Kleard Rexhepaj ka një ofiçinë pranë shkollës Petro Nini Luarasi.
Prej do kohësh ai ka krijuar edhe një klub për pedaluesit, në një shtëpi përdhese. Ai shet dhe ofron servis biçikletash, por merret edhe me guida turistike për të huajt që duan turizmin e aventurës.
Ai më thotë se ka pesë vite që ka një ndërgjegjje të rritur për përdorimin e biçikletës në qytet në rutinën e përditshme, përpos si sport.

Kjo sipas tij pasi ka një siguri edhe në rrugë me korsitë e shtuara të biçikletave.
Por Rexhepaj vëren se në kohën e pandemisë ka patur një bum interesimesh dhe blerjesh e riparimesh të biçikletave.
“Unë tani nuk kam më biçikleta për të shitur, por pres furnizimin e ri nga Zvicra.
Kam shitur 250 biçikleta në dy muaj me çmime që variojnë sipas markave, cilësisë, të reja apo të përdorura, funskioni, etj nga 15 mijë lekë deri në 2 mijë euro e më shumë. Këto të fundit elektrike”- thotë Rexhepaj.

Ai tregon për gazetën “Si” se klientët janë të grupmoshave të ndryshme. Në fillim të pandemisë vinin shumë baballarë, thotë ai, që kërkonin të blinin biçikleta për të gjithë familjen, mandej të rinj, edhe të moshuar.
“Vijnë shumë edhe për servis. Ka patur edhe nga ata klientë të pamundur ekonomikisht që kanë nxjerrë biçikletat nga depot e shtëpive, kanë qenë rraqe dhe kanë ardhur t’ju bëjnë servis nga nevoja. Por ka edhe nga ata që janë tejet të apasionuar pas biçikletës që vijnë për ti pajisur me aksesorë, kosh, zile shtesë, etj.”- tregon Rexhepaj.

Ai ka vërejtur se pandemia i ndërgjegjësoi disa syresh, që pavarësisht gjendjes së mirë ekonomike të kuptojnë rëndësinë e natyrës dhe ruajtjes së mjedisit.
“Më kanë ardhur në dyqan disa njerëz që kanë makina të shtrenjta dhe kanë blerë biçikleta elektrike dhe i kanë mbyllur makinat e shtrenjta në garazh. Një klient që më kujtohet para pak ditësh bleu një biçikletë elektrike 1700 euro dhe tha që do tia nxjerr lekët makinës për pak kohë”- tregon Rexhepaj duke thënë që sektori i biçikletave e ka kaluar krizën më lehtë se të tjerët sepse ka patur punë.
Ai tregon për “Si” se duke qenë nga ata që e ka pasion biçikletën, sëbashku me disa vullnetarë të tjerë, po hapin shtigjet e vjetra nga Selita për pedaluesit vendas dhe të huaj që të kenë shtigje e rrugë të reja për të pedaluar.
Edhe nga Alb Tech Cycle Tirana pohojnë për gazetën “Si” se periudha e pandemisë ka qenë pozitive për ta në shitjen e biçikletave. Klientët e tyre kanë qenë të rinj grupmosha mes 18-24 vjeç.
Edhe tek Passion for Bicycle mbi “Komunën e Parisit” ka patur shumë kërkesa si për blerje, ashtu edhe për service.

Të dhënat e doganave shqiptare tregojnë se prej të paktën pesë vitesh importi i biçikletave ka patur trend rritës, me përjashtim të vitit 2018.
Tregu global i biçikletave 51,44 mld $
Tregu global i biçikletave është vlerësuar në 2018 me 51, 44 mld dollarë me një rritje prej 4,44 mld dollarë nga viti 2018. Sipas parashikimeve globale, ky treg deri në 2024 pritet të rritet me 7,78%.
Individët në të gjithë globin po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për shëndetin tyre, që po rezulton në rritjen e kërkesës për biçikleta si një mënyrë alternative e transportit dhe sportit njëkohësisht. Në krahasim me biçikletat konvencionale, aktualisht, kërkesa e përgjithshme për biçikleta elektrike po evoluon dhe pritet të rritet.
Aftësia e biçikletave elektronike për të menaxhuar shpejtësitë, i siguron pedaluesit vozitjen e rehatshme në mbikalime, zona malore dhe rrugë të vështira, duke i hapur kështu rrugën shitjeve të tregut të biçikletave.
Disa dyqane të biçikletave në Brooklyn po shesin dy herë më shumë biçikleta se zakonisht. Një zinxhir dyqanesh në Phoenix po shet tre here më shumë se numri i biçikletave që shet zakonisht. Një shitës me pakicë në Uashington, D.C., shiti të gjitha biçikletat e tij deri në fund të prillit dhe ka shitur më shumë se kurrë në historinë e tij 50-vjeçare.
Ndërsa pandemia e koronavirusit ka zvogëluar gjallimin e jetës në qytetet e mëdha amerikane – duke kufizuar përdorimin e autobusëve dhe metrosë – qindra mijëra amerikanë po i drejtohen biçikletës.
Në mars, shitjet e biçikletave në mbarë vendin gati u dyfishuan në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas N.P.D. Group, një kompani kërkimore e tregut. Shitjet e biçikletave në të njëjtin muaj u rritën 66 përqind, biçikletat e fëmijëve u rritën 59 përqind dhe biçikletat elektrike u rritën 85 përqind.
Frika nga infektimi me koronavirus në transportin publik ka ndihmuar të çojë në një bum të shitjeve të biçikletave.
Kërkesa për më shumë lëvizshmëri dhe stërvitje mes ndryshimeve në stilin e jetës të imponuar nga bllokimi ka rritur edhe shitjet e biçikletave në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Shitjet e biçikletave u rritën në maj me 23%.
Disa dyqane po luftojnë për të përmbushur kërkesën. Ciklet Broadribb në Bicester normalisht dërgojnë 20-30 biçikleta në javë, por menaxheri Stuart Taylor thotë se dyqani aktualisht po shet 50 biçikleta çdo ditë – dhe duke parë një rritje të njëkohshme të kërkesës për shërbim.
“Thjesht është një çmenduri,” i tha ai BBC-së. “Njerëzit janë duke nxjerrë biçikletat nga depot dhe garazhet dhe kërkojnë servis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.