Shendet

Izolimi i juglindjes u rrezikon jetën- pacientët me dializë e kimioterapi të bllokuar pas shembjes së rrugëve

Nga Gazeta Si– Prej pesë ditësh, qindra pacientë në juglindje të vendit janë përballë një realiteti të rrezikshëm: mungesës së aksesit në shërbim shëndetësor jetik. Pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, si pasojë e shembjes së segmentit të rrugës kombëtare në fshatin Dragostunjë, pjesë e Korridori 8, banorët e zonës e kanë të pamundur të udhëtojnë drejt Tiranës për trajtime të specializuara.

Together for Life, në një njoftim zyrtar, i ka bërë thirrje publike Ministria e Shëndetësisë që të reagojë menjëherë me një plan të qartë, konkret dhe të zbatueshëm masash për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët e zonës juglindore, e cila prej ditësh ndodhet praktikisht e izoluar.

Bllokimi i këtij aksi rrugor ka ndërprerë aksesin e qindra pacientëve drejt shërbimeve të specializuara në Tiranë, duke vënë në rrezik serioz shëndetin dhe jetën e tyre.

Ndër pacientët më të rrezikuar janë pacientët kronikë me insuficiencë renale, të cilët kanë të planifikuara seanca të rregullta hemodialize në spitalet e Tiranës, pacientët onkologjikë me seanca të planifikuara kimioterapie dhe trajtime të tjera specifike në spitalin onkologjik, pacientë me ndërhyrje kirurgjikale të planifikuara si dhe persona me sëmundje të rënda që mund të përballen me emergjenca shëndetësore dhe kanë nevojë për hospitalizim dhe trajtim të menjëhershëm.

“Çdo vonesë në trajtim për këto kategori pacientësh përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, rritje të riskut për komplikacione serioze dhe, në ndonjë rast, rrezik për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shoqatës.

Në këtë situatë emergjente, TGF kërkon nga Ministria e Shëndetësisë hartimin dhe publikimin urgjent të planit të masave për menaxhimin e situatës dhe organizimin e transportit të dedikuar mjekësor për pacientët me trajtime të planifikuara jetike (hemodializë, kimioterapi, ndërhyrje kirurgjikale).

Gjithashtu kërkohet koordinimi me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor për identifikimin dhe ndjekjen aktive të pacientëve në rrezik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë