Atletike

Izmir Smajlaj synon medaljen e parë olimpike për Shqipërinë në Tokio

Komiteti Olimpik Europian ka publikuar sot në faqen zyrtare një artikull për atletin shqiptar, Izmir Smajlaj, ku tregon karrierën e shkodranit dhe ambiciet e tij për t’i sjellë Shqipërisë medaljen e parë në Lojërat Olimpike. Olimpiada e Tokios do të jetë e dyta për atletin e kërcimit së gjati, pas “Rio 2016”.

"Është gjithmonë nder të jem pjesë e një eventi kaq të madh dhe fakti që do të marr pjesë në Lojërat e Tokios më ndihmon të arrij synimet që kam për karrierën time sportive", - thekson në këtë artikull Smajlaj, i përzgjedhur edhe në bordin ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Artikulli i Komitetit Olimpik Europian për Izmir Smajlajn. Gazeta Si, 4 maj 2021

"Kanë kaluar 5 vjet nga Lojërat e Rios dhe tani jam më i përgatitur e më i sigurt në atë që dua të arrij në Olimpiadë. Dua që në Tokio të arrij në finale dhe me pak fat mund të ngjitem edhe në pod. Shqipëria është vend i vogël dhe tashmë kam hyrë në historinë e sportit shqiptar si kampioni i parë europian, por nëse do fitoja një medalje olimpike, do ishte arritja më e madhe në karrierën time dhe vendi që përfaqësoj do jetë vërtet krenar për mua”, - thotë atleti shkodran.

Smajlaj ka marrë pjesë së fundi në disa gara dhe ka fituar në Vjenë, Stamboll, Beograd dhe Tiranë: “Kam fituar 4 medalje të arta në gara të vështira këtë sezon dimëror dhe ndihem mire, po stërvitem intensivisht për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike, ku besoj se do të jem në finale”.

Izmir Smajlaj ka përfituar një bursë olimpike, ashtu si dhe 7 sportistë të tjerë shqiptarë, Luiza Gega, Evagjeli Veli, Nikoll Merizaj, Jon Vrenozi, Eriglent Prizreni, Elord Cose dhe Xhino Toli. Janë bursa që ofrohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Smajlajn e ka ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit të nevojshëm për t'u trajnuar jashtë vendit.

Smajlaj gjatë një kërcimi. Gazeta Si, 4 maj 2021

"Jam mirënjohës që kam një bursë olimpike, sepse kjo bursë më ka ndihmuar të stërvitem më mirë. Kushtet sportive në Shqipëri nuk janë më të mirat, nuk ka një sallë të mbyllur të kërcimit së gjati dhe jam i detyruar të stërvitem çdo dimër në një vend tjetër në Europë. Po stërvitem me trajnerin më të mirë të kërcimit së gjati, i cili është gjithashtu president i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruji. Ai më jep forcë, mësime dhe mbështetje për të arritur rezultate më të mira".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë