Politike

Ivi Kaso: Dekretimi zgjedhjeve në Himarë në shkelje të ligjit, Belerit nuk iu dha e drejta as ta ankimonte vendimin

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, ka deklaruar të shtunën se, si Ilirjan Celibashi ashtu edhe Presidenti Bajram Begaj shkelën ligjin njeri duke i hequr mandatin Fredi Belerit e tjetri duke dekretuar zgjedhjet me ngut në Himarë.

“Komisioneri i Zgjedhjeve është në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës.

Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese”, tha Kaso. Sipas llogjikes juridike të Kasos, Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj.

 “Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj i cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.

Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit.

Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi.

Ky rast bën edhe autopsinë e kufomës së Republikës, duke filluar nga SPAK, gjykatat, KQZ, qeveria dhe Presidenti. Mund ta balsamosin sa të duan me propaganda, me koncerte vere dhe me turizëm orbital, por kufoma qelbet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë