Euro 2020

Ivan Perisiç del pozitiv, humb Spanjën. Gjermanisë i kthehet Tomas Myler

Lajm i keq për Kroacinë dhe trajnerin e saj, Zllatko Daliç. Ivan Perisiç ka humbur ndeshjen me Spanjën dhe ndoshta Europiani ka përfunduar për të, pasi ka dalë pozitiv në testin e fundit të Covid-19.

"Gjatë mbrëmjes Federata Kroate e Futbollit ka marrë rezultatet e testeve për virusin SARS-CoV-2 dhe ka rezultuar se Ivan Perisiç është pozitiv. Stafi mjekësor i kombëtares e ka izoluar lojtarin nga pjesa tjetër e skuadrës dhe ka informuar me detaje për situatën shërbimin epidemiologjik kompetent. Janë marrë të gjitha masat për të ndaluar përhapjen e virusit, ndërsa Perisiç do të bëjë karantinën 10-ditore, duke humbur ndeshjet e Kroacisë. Të gjithë pjesëtarët e tjerë të kombëtares janë negativë”. Ky është njoftimi zyrtar i kombëtares kroate.

Kroacia do të udhëtojnë me avion drejt Kopenaghenit, ku do të luajnë ndaj Spanjës të hënën ndeshjen e 1/8-ve. Perisiç ka qenë titullar i padiskutueshëm i skuadrës së Daliç deri tani. Vendin e tij ndaj Spanjës pritet ta marrë Ante Rebiç, që në ndeshjen e fundit ishtë në stol.

Tomas Myler. Gazeta Si, 27 qershor 2021

Gjermania, mjaft e kritikuar pas barazimit 2-2 me Hungarinë, po përgatitet për sfidën e madhe me Anglinë. Lajmi i mirë për trajnerin Joakim Lëv është rikthimi i Tomas Mylerit, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe pritet të jetë në fushë ndaj anglezëve. Zgjedhjet teknike të Lëv janë kritikuar shumë nga ish-futbollistët gjermanë, të cilët kërkojnë nga trajneri të mos niset nga emrat. Më të kritikuarit janë Sane dhe Gyndogan, por edhe Gnabri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë