Futboll

Ivan Balliu mund Barcelonën në ‘Camp Nou’, Bajrami super asist ndaj Napolit

Gazeta Si – Barcelona ka humbur për të tretën herë radhazi në ‘Camp Nou’. Këtë herë në stadiumin mitik ka festuar edhe një shqiptar, Ivan Balliu, mbrojtësi i Kombëtares që fitoi 0-1 me Rajo Valekanon ndaj katalanasve.

Garsia feston golin e fitores ndaj Barcelones. Gazeta Si, 25 prill 2022

Garsia shënoi golin e fitores vetëm pas 7 minutash lojë në këtë ndeshje, ku Barcelona u ndal nga shtylla në dy raste, pas gjuajtjeve të Zhordi Albës dhe Gavit. Kjo humbje e Barcelonës ka bërë që Real Madridit t’i duhet vetëm një pikë për të siguruar matematikisht titullin kampion në La Liga. Një titull, që mund ta fitojë në ndeshjen e radhës me Espanjolin e Keidi Bares.

Ivan Balliu luajti 90 minuta në “Camp Nou” dhe bëri paraqitjen e tij të zakonshme. Mbrojtësi i krahut të djathtë u ndëshkua me karton të verdhë. Ndeshja u tensionua shumë në fundin e saj, ku vetëm në shtesë u dhanë 5 kartonë të verdhë.

Fundjava ishte e veçantë ndërkohë për tre kuqezinjtë e Empolit, që mundi me përmbysje Napolin. Vetëm Asllani e nisi titullar dhe u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak dëmtimi. Nedim Bajrami u fut nga stoli dhe la shenjën e tij me një asist të jashtëzakonshëm për golin e 3-të Empolit. Adrian Ismajli nuk luajti në këtë ndeshje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë