Drejtësia

Iu sekuestruan 49 kg kokainë në port, Arbër Çekaj mbron babain: Është profesor i nderuar

Një ditë pasi babai i tij, Selim Çekaj u arrestua si administratori i një kompanie të re që kryente trafikun e kokainës me kontejnerët e bananeve nga Ekuadori, Arbër Çekaj ka reaguar për arrestimin e të atit dhe ngarkesën me 49 kg kokainë.

Në seancën gjyqësore të radhës në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, Çekaj tha se po i masakrohet e gjithë familja, ndërsa është shprehur se babai i tij është një profesor i nderuar.

“Po masakrohet gjithë familja ime. Babai im është 72 vjeç, profesor i nderuar. Arrestuat babain e kulakut! Edhe brenda familjes nuk po na trajtojnë njëlloj. Mua ma çuan kontejnerin në magazinë në Maminas, ndërsa babait ia hapën në port. Kjo tregon që është një klan i caktuar, që kërkon të përfshijë familjen tonë në trafik”, - ka thënë Çekaj gjatë seancës.

Arbër Çekaj, i bëri këto akuza këtë të premte para trupit gjykues për seancën e radhës në Apelin e Posaçëm, i cili është shtyrë për një ditë tjetër.

Ndërkohë, avokati i tij, Maks Haxhia, ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues.

Arbër Çekaj ndodhet pas hekurave për ngjarjen e 28 shkurtit të vitit 2018, kur në magazinat e tij ‘Arbri Garden’ në Maminas u gjetën 613 kg kokainë mes baneneve që vinin nga Kolumbia.

Babai i tij, Selim Çekaj kishte hapur një kompani me emrin “Ecoalmax” një muaj pas kapjes së sasisë së kokainës në magazinat e të birit, për transportin e bananeve nga Ekuadori.

Në kontejnerët që transportonin bananet, që vinin për llogari të kompanisë së tij, policia gjeti 49 kg kokainë duke e arrestuar menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë