Gazeta Si – Një 21-vjeçar i shpallur në kërkim për 262 kg kanabis që u gjetën gushtin e vitit të kaluar në Vlorë, është arrestuar mbrëmjen e të hënës.
I riu është shpallur në kërkim në muajin gusht të vitit të kaluar, së bashku me babain me iniciale F.K., 45 vjeç dhe vëllain E.K., 22 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të policisë në banesën e shtetasit F.K., u gjetën dhe u sekuestruan 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proces tharjeje.
Gjatë operacionit në gusht 2021, janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit: A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndaj K.K., banues në Kaninë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike’’, ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’’ dhe ‘’Vjedhja e energjisë elektrike’’, të kryera në bashkëpunim.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e dy familjarëve të tjerë që janë shpallur në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




