Nga Gazeta Si- 14 përfaqësues të shoqërive civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania, Moldova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndodheshin në Beograd në datat 22 dhe 23 janar për të diskutuar strategjitë përmes të cilave organizatat joqeveritare mund të krijojnë të ardhura por ky takim, edhe pse pa asnjë qasje politike apo me protestat që po zhvillohen prej kohësh, u kthye për to në një dëbim nga Serbia, që i shpalli non grata.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga organizata “Help” ishin dy shqiptarët që u është vulosur pasaporta, vulë që u ndalon hyrjen në Serbi për një vit.
Memaj, në një prononcim për Gazetasi.al ka treguar se si ndodhi gjithë ngjarja dhe orët e frikës para së panjohurës, pasi atyre nuk u është shpjeguar asgjë, madje vijojnë të mos kenë dijeni për ndalimin e tyre.
“Sapo u ktheva në hotel u ndalova nga një polic (që tregoj distinktivin dhe ishte i shoqëruar nga dy të tjerë që nuk treguan distinktivin), i cili më kërkoi dokumentin e Identifikimit dhe pasi e pa, më tha të prisja në holl të hotelit (bashkë me kolegë të tjerë që edha ata do vinin në komisariat) pasi do më shoqëronin në Komisariat”, thotë Memaj, i cili shton se pyetjes së tij mbi arsyen e ndalimit dhe të nevojës për të shkuar në komisariat, iu përgjigj që do t’i komunikohej atje.
Pasaportën e tij e mbajtën ata nga ky moment e deri sa ia dorëzuan me vulën e ndalimit të hyrjes në Serbi.
Pas rreth 20 minuta pritje të tensionuar në holl, thotë Memaj, 2 persona pa uniformë, na kërkuan të shkonim në komisariat.
“Tek makina, e cila ishte makinë private dhe jo policie, u shoqëruam unë dhe kolegia e Help Shqipëri, Edlira Lilaj. Rruga për në komisariat më ngjalli vërtetë frikë, pasi ishim të shoqëruar nga dy persona pa uniformë, në një makinë private që po më nxirrte nga qyteti, dhe meqë nuk e dija as rrugën as vendin, kisha ndjesinë që po më kanosej jeta. Kur arrita të dalloj godinë e komisariatit, u qetësova dhe mendova se tani si do që të shkonte puna, isha në një institucion shtetëror”, shpjegon Memaj, i cili shton se as në komisariat nuk vuri re uniforma.
Në komisariat dy shqiptarët kanë qëndruar rreth 2 orë e gjysmë (nga mesnata deri rreth orës 2.30 të mëngjesit”.
Memaj thotë se atyre nuk u është ofruar asnjë përkthim në gjuhën shqipe ndërsa me oficerët kanë komunikuar në gjuhën angleze pasi u thanë që nuk dinin serbisht.
“Edhe dokumenti që tregon ndalimin dhe mos lejimin e hyrjes në territorin serb për 1 vit mu dha ta firmosja në serbisht. I kërkova njërit nga detektivët të ma përkthente dhe ai e përktheu, duke më thënë vetëm se përbën kërcënim kombëtar dhe për këtë arsye ndalohem të hy në territorin serb për një vit”, thotë Memaj.
Pak pas përkthimit të tij, në zyrë hyri një nga kolegët e Memajt nga Kroacia, e cila e firmosi dhe i konfirmoj që deklaratat e nënshkruara ishin siç tha efektivi, “dhe në mirëbesim e nënshkrova, megjithëse kopja e dokumentit ishte në serbisht dhe nuk kisha si të isha i sigurt për përmbajtjen e dokumentit”.
Memaj tregon se në asnjë moment, personat në fjalë, nuk i janë referuan në mënyrë negative shtetësisë së tij apo origjinës etnike.
“Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë koment të papërshtatshme në drejtimin e tij, as nuk ka dëgjuar apo perceptuar nga ana e personave që e kanë shoqëruar, përkundrazi shfaqën empati dhe në fund na komunikuan se ishin të detyruar të zbatonin urdhrat”, tregon Memaj.
Ai thotë se ende nuk e di arsyen (dhe nuk gjen një të tillë) pse ka ndodhur kjo dhe po pret që të apelojë vendimin që sipas tij, është i padrejtë dhe i pajustifikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.