Ana e errët

Itinerari i 143 kg kokainë nga Ekuadori në Durrës, policia ishte në “pritje” të konteinerit

Sasia e 143 kg kokainë e sekuestruar dje në Portin e Durrësit nga policia shqiptare, dyshohet se është nisur rreth një muaj e gjysmë më parë e ngarkuar në një konteiner në anijen “MSC MIRELLA” në portin e Guajakilit në Ekuador.

Sipas burimeve policore, ngarkesa nga Ekuadori, ka përfunduar në Portin e Panamasë, të quajtur Rodman, ku është ngarkuar në anijen e transportit “MSC NAOMI” dhe më është nisur drejt Italisë për të kaluar tranzit në portin e “GIOIA TAURO”-s në Kalabri.

Në portin e vendit fqinj, kontejneri me banane, së bashku me anijen, ka qëndruar më shumë se një javë. Më pas është nisur me anijen “Contiship” drejt Portit të Pireut në Greqi dhe nga andej, të shtunën në mëngjes ka mbërritur në Shqipëri me anijen “Dance” që mbante një flamur portugez.

LEXO EDHE:
Sekuestrohet 143 kg kokainë në konteinerin e bananeve në portin e Durrësit, ishte nisur nga Ekuadori (Video)

Pasi ka lënë ngarkesën në Durrës, anija ka pasur destinacion final portin e Tivarit në Malin e Zi. Burimet shprehen se policia shqiptare ka pasur informacion për mbërritjen e ngarkesës prej dy javësh, kjo falë edhe sinjalzimit nga homologët ndërkombëtarë.

Dyshohet se kjo ka qenë një nga arsyet që kontejneri, gjatë rrugës së përshkruar nuk është urdhëruar të kalojë në skaner për t’u verifikuar në Kalabri dhe Pire, duke lënë të kuptohej se ajo duhej të kontrollohej në prani të një prej përfaqësuesve të kompanisë “Massabi Fruits”.

Me të mbërritur në Portin e Durrësit, ajo iu nënshtrua kontrollit me skaner, i cili dha sinjal të kuq. Për të kaluar në vijën e dytë të kontrollit, policia shqiptare thirri një prej administratorëve të kompanisë “Masabi Fruits”, Klajdi Xibrakun.

Në prani të tij u sharrua pjesa metalike e tavanit, ku u konstatuan pakot me lëndë narkotike. Klajdi Xibraku u arrestua nga ana e policisë dhe pak orë më vonë u arrestua edhe administrator tjetër, Erjon Peti.

Të dy të ndaluarit, të cilët janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, mohojnë të kenë lidhje me trafikun e drogës.

Policia dyshon së e gjithë ngarkesa e kokainës, nuk ishte në pronësi të kompanisë dhe të dy administratorëve, pasi duke u nisur edhe nga portretet e stampuara në lëndën narkotike, por edhe nga mbishkrimet, (“El Meijor”, më e mira),mendohet se të përfshirë janë edhe disa grupe kriminale

Ndërkohë, pak javë më parë, policia shqiptare, sekuestroi në Portin e Durrësit, një sasi prej 49 kg kokainë të fshehura mes bananeve.

Në pranga, si administrator i firmës, u vu Selim Çekaj, babai I Arbër Çekajt, i dënuar me 14 vjet burg për 613 kilogramë që u kapën në shkurt të vitit 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë