Prodhim i hashashit në Shqipëri është një dhimbje koke e fortë për ndërkombëtarët, veçanërisht për Italinë, e cila shihet shikohet nga trafikantët si destinacioni kryesor për ta transportuar nga rrugët detare. Mediet italiane shpesh kanë treguar se sa i kërcënuar është vendi i tyre nga hashashi që prodhohet në Shqipëri dhe në jo pak raste na quajnë “Kolumbia e Ballkanit”.
Nuk janë të pakta as raportet e policisë italiane, të cilat janë vënë në lëvizje nga Guardia di Finanza, e cila ka pasur edhe të drejtën e fotografimit të hapësirës ajrore shqiptare. Kronika më e fundit nga mediet Italiane ka ardhur nga televizioni italian Rai 3, ku theksohet se vitin e kaluar , është rritur 1200% ose 12 herë mbjellja e kanabisit në Shqipëri. Në këtë kronikë televizive, TG 3, i referohet një raporti sekret të policisë italiane ku përmes fotografive nga ajri janë gjetur mbi 100 mijë bimë kanabis të kultivuara në plantacione të vogla e të fshehura mes malesh. Janë bimë të ulëta të importuara nga Vietnami e të modifikuar gjenetikisht për të pasur një përqindje të lartë të përbërësve aktivë. “Ndryshe nga një vit më parë ku në Shqipëri u gjetën më pak se 1000 bimë kanabis të mbjella e siç deklaroj disa muaj më parë Drejtori i policisë Kriminale shqiptare z. Tonin Vocaj,të dhënat e raportit të siguruar nga RAI 3 , i cili është ende sekret dëshmon një realitet krejt ndryshe”, thuhet në këtë kronikë.
Kjo është hera e dytë që RAI 3 brenda 5 muajsh transmeton materiale speciale për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me kanabis. Në gusht të vitit të kaluar, i njëjti televizion gjatë emisionit ‘Narcotica’, i njohur për investigimet e tij të forta për trafikun e drogës në Itali shfaqi një dokumentar ku oficerët italianë të misionit të vrojtimit ajror të Guardia di Finanza thonë se pas rënies në vitit në 2018, në 2019 Shqipëria i është rikthyer kultivimit masiv të marijuanës.
Por faktet e medies italiane janë interpretuar katërcipërisht kundër nga maxhoranca dhe opozita në Shqipëri duke i dhënë hov një tjetër replike të ashpër politike. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u shrehen se “Dëshmia e sjellë nga Rai 3 dëshmon dështimin e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bundestagut për nisjen e negociatave- luftën kundër krimit të organizuar. Në Shqipëri, krimi i organizuar jo vetëm nuk po luftohet, por, i mbrojtur nga partia në pushtet, është shndërruar në lojtar kryesor në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Prej 6 vjetësh, nuk ka asnjë bos të krimit të organizuar në burg. Nuk ka asnjë bos të trafikut të drogës të arrestuar. Burgjet e Sandër Lleshajt kanë mbushur me opozitarë që protestojnë kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të varfër që punojnë parcelat me kanabis” deklaroi ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji.
Ndaj akuzave të opozitës dhe kronikës së transmetuar nga media italiane, reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se “Lajmi i mbrëmshëm në RAI 3 mbi gjoja 12-fishimin e kultivimit te kanabisit në Shqipëri është një turp gazetaresk, pa asnjë lidhje me realitetin e monitoruar dhe certifikuar nga vetë Guardia di Finanza! Uroj që partnerët tanë të shkëlqyer ta thonë vetë pa humbur kohë të vërtetën!”.
Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, foksin e replikës e vuri tek media italiane që sipas tij transmeton kronika të tilla dhe të pavërteta. Por fatmirësisht këto rezultate në luftën ndaj hashashit “janë të certifikuara nga autoriteti i padiskutueshëm i Guardia di Finanza-s”, shprehet Lleshaj.
Ndërsa policia e shtetit ka kërkuar që shifrat të konfirmohet nga partnerët e saj në Itali duke u shprehur se “Viti 2019 shënoi sasinë më të vogël historike të kanabisit me origjinë nga Shqipëria, të kapur në Itali".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.