Gazeta Si – Moduli më i mirë është ai që i bën lojtarët të shprehen më mirë, në vendin e duhur. Kundër Venezuelës tek Italia ndodhi vetëm kur Spaleti kaloi në rreshtimin 4-3-3.
Italia është ende në “laborator”, duke bërë prova për të mbrojtur titullin europian. Në miqësoren e parë amerikane ka mundur 2-1 Venezuelën dhe për Spaletin ka dy garanci: Donaruma që duket në nivelin e “Wembley 2021” dhe Retegui, autor i 2 golave.

Në këtë ndeshje testuese në fakt pritej diçka më shumë, por duhet pasur parasysh se Spaleti eksperimentonte dhe sigurisht do të kishte vështirësi.
Italia e nisi ndeshjen me skemën 3-4-1-2 dhe hasi menjëherë vështirësi. Skuadra ishte konfuze, sepse Kieza qëndronte larg në krah, kurse Fratezi duhej të tërhiqej, ndërkohë që ka nevojë për hapësirë. Që të dy nuk lanë gjurmë pas shpinës së Reteguit, ku depërtonin me radhë Bonaventura dhe Lokateli.
Pak kualitet dhe rregull në ndërtimin e lojës. Vetëm një gjuajtje në portë për pjesën e parë, që solli golin e Reteguit, pas dhuratës së Venezuelës. Por Italia ia ktheu dhuratën vetëm pas 2 minutash dhe Venezuela barazoi me Makis.
Donaruma priti një penallti ndaj Rondon dhe në pjesën e dytë bëri edhe një pritje tjetër vendimtare. Retegui shënoi golin e fitores 10 minuta para fundit, duke dhënë sinjalet se Italia ndoshta ka gjetur “bomberin” e saj për Europianin e Gjermanisë.
Kampionët e Europës e nisin këtë event pikërisht ndaj Shqipërisë së Silvinjos, ndërsa dy skuadrat e tjera të grupit janë Spanja dhe Kroacia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




