Bota

Italia tërhiqet nga projekti kinez ‘Një brez, një rrugë’. A po rimendon Europa marrëdhëniet me Kinën?

Nga Gazeta ‘Si’- Italia do të tërhiqet nga nisma kryesore e Kinës, “Një Brez një Rrugë“ (Belt and Road, BRI), ka konfirmuar qeveria.

Administrata e kryeministres Giorgia Meloni njoftoi Pekinin se do t’i jap fund pjesëmarrjes në iniciativë përpara një afati përfundimtar në fund të vitit.

Italia ishte i vetmi shtet i madh perëndimor që u bë pjesë e iniciativës në vitin 2019, vendim i cili u kritikuar asokohe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.

E nisur nga presidenti kinez Xi Jinping në vitin 2013, BRI synon të investojë rreth 1 trilion dollarë në të gjithë Azinë dhe Europën. Projektet duke përfshirë hekurudhat dhe portet e reja dhe të përmirësuara synojnë të lidhin Kinën me Europën dhe pjesë të tjera të Azisë.

“Një Brez një Rrugë“ është kritikuar që në fillim nga SHBA si një shembull i “diplomacisë që fut shtetet në kurth përmes borxhit”.

Uashingtoni thotë se planet e Kinës përfshijnë projekte të paqëndrueshme të mëdha që vendet nuk janë në gjendje të financojnë, duke i dhënë Pekinit mundësi për qëllimet e veta.

Italia ishte më e madhja nga 18 anëtarët e BE-së, veçanërisht në lindje dhe jug të kontinentit, pjesë e iniciativës. Anëtarësimi i vendit në BRI do të rinovohej automatikisht në mars të vitit të ardhshëm nëse Italia nuk do të njoftonte Kinën se po tërhiqej deri në fund të këtij viti.

Meloni e ka quajtur vendimin e qeverisë së mëparshme për t’u bashkuar “një gabim serioz” dhe tregoi se ishte e vendosur të tërhiqej.Por qeveria e saj theksoi se po kërkonte të ruante marrëdhënie të mira me Kinën, pavarësisht lëvizjes.

Vetëm një pjesë e vogël e investimit me vlerë deri në 20 miliardë euro në Itali të premtuar nga Xi në 2019 është realizuar.

Takimi i BE-së në Pekin

Lajmi erdhi pasi delegacioni i zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian mbërriti në Pekin për samitin e parë personal BE-Kinë në katër vjet.

Takimi u pa nga udhëheqësit kinezë si një mundësi kyçe për të qetësuar marrëdhëniet e diskutueshme me Evropën, të cilën Pekini vazhdon ta shohë si një kundërpeshë të mundshme kryesore në konkurrencën e tij me Shtetet e Bashkuara.

“Ne nuk duhet ta shohim njëri-tjetrin si rivalë vetëm sepse sistemet tona janë të ndryshme, të zvogëlojmë bashkëpunimin sepse ekziston konkurrenca, ose të përfshihemi në konfrontim sepse ka mosmarrëveshje,” u tha Xi udhëheqësve vizitues.

Burimi: CNN/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë